Mbahet mbledhja e qeverisë, merren disa vendime
Prishtinë, 23 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 81-ën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, koncept dokumente dhe vendime që bien në fushën e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të Banka themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë, të cilat ndodhen në Zonën kadastrale Prishtinë, për nevoja të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Koncept dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve; Koncept dokumentin për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje; Koncept dokumentin për çështjet e kadastrit dhe koncept dokumentin për rregullimin e shërbimeve private të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për vazhdimin e mandatit trevjeçar për kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, Qeveria ka miratuar rregullat për lartësinë e kompensimit të ndërmarrjeve publike qendrore sipas kategorizimit në draft vendim.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale Prishtina Parking Sh.A. në Prishtinë dhe Ndërmarrjes Publike Lokale Ambienti Sh.A në Ferizaj.
Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se meqenëse këto janë kompani publike lokale, si ato qendrore, qasja është që këto të kenë të ardhura të veta dhe të kenë llogari të veta që janë të pavarura nga llogaritë buxhetore. Kështu që pagat e punonjësve në ato kompani nuk janë paga që sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe ata nuk kanë status të shërbyesve civil. Ata janë punonjës të një kompanie publike, e cila në qoftë se nuk i plotëson kushtet mund të shkoj në likuidim ose falimentim. Por, në këtë rast Ministria dhe grupi ndërministror ka qenë i detyruar që të përcaktoj kriteret që ata mund të kthehen në afarizëm për ti plotësuar shpenzimet e veta dhe për të afaruar me llogari pozitive, tha kryeministri Mustafa.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, janë ndarë mjetet për Qendrën e Kinematografisë së Kosovës. Ky vendim i Qeverisë është edhe një vlerësim për arritjet e Qendrës Kinematografike të Kosovës pas nominimit të filmit Shok për çmimin Oscar.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për autorizimin e organizatës joqeveritare ECMI Kosova për mbështetjen e punës së Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar nga Qeveria.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Sipas ndryshimeve në këtë Ligji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me miratimin e kryetarëve të gjykatave, mund të transferojë një gjyqtar në një gjykatë tjetër për një periudhë kohore të arsyeshme, në rastet kur gjykata tjetër ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e lëndëve.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për aprovimin në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Maltës për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar kabinetin qeveritar se më datë 21 mars 2016 ka marrë vendimin që të vendoset masa reciproke ndaj Republikës së Serbisë, duke mos njohur certifikatën e ADR-së për automjetet si dhe certifikatën e ADR-së për shoferët, të lëshuar nga autoritet serbe për transportuesit, eksportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë. Me këtë vendim, është obliguar Dogana e Kosovës që të mos njeh certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoritetet serbe. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.