Mbahet Mbledhja e Qeverisë
Prishtinë, 22 korrik - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt.
Projektligji për Energjinë Termike është dokumenti i parë që ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve për zhvillimin e tregut të qëndrueshëm dhe konkurrues të energjisë termike. Ligji përcakton të drejtën e konsumatorëve për tu lidhur me sistemet e energjisë termike dhe furnizimit me energji termike sipas standardeve dhe me çmim ekonomik.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Raportin Gjashtëmujor të Buxhetit të Kosovës për vitin 2015.
Në raport, ndër të tjera, është evidentuar rritje e parasë së gatshme për 36 milionë euro, e cila ka rritur bilancin bankar të Qeverisë për 24%, duke rritur kështu qëndrueshmërinë financiare të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka ngritur çështjen e nevojës që të ketë sjellje të njëjtë sa i përket racionalitetit të shpenzimeve të buxhetit ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura dhe agjencive tjera. Do të ishte mirë që në një mbledhje të ardhshme të Qeverisë të kemi një informatë në detaje lidhur me sjelljen e çdo subjekti buxhetor në shpenzimin e parasë publike sepse nuk janë vetëm ministritë ato që e shpenzojnë buxhetin, janë edhe agjencionet dhe institucionet tjera të pavarura. Ne jemi përgjegjës për krejt buxhetin, dhe duhet të kemi një informatë komplekse dhe natyrisht të japim udhëzime dhe të bëjmë vërejtje për të gjithë ata që nuk sillen në mënyrë racionale me paranë publike, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar që në një mbledhje të ardhshme të jepet një informatë e shkurtër, dhe të shihet si është gjendja te krejt shfrytëzuesit e buxhetit sa i përket parasë publike.
Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar faktin se ka shpenzime më të ulëta, por ka theksuar edhe faktin se nuk është arritur që të arkëtohet ashtu siç është paraparë. Kemi një rritje prej 7 për qind të hyrave të buxhetit, por kemi poashtu 9 për qind më pak shpenzime se sa që kemi pasur përpara. Prandaj, relacioni ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve është pozitiv. Kemi pasur edhe korrigjime të buxhetit me rishikim të buxhetit, për arsye se është vlerësuar nga Fondi Monetar dhe Ministria që ne nuk do të mund të arrijmë të gjitha të hyrat që ne i kemi planifikuar. Prandaj, kjo edhe do të barazohet me këtë korrigjim që e kemi bërë. Por tash duhet të shohim tek racionalizimi i shpenzimeve për çdo subjekt veç e veç, që tiu bëjmë vërejtje dhe poashtu ti udhëzojmë të gjitha subjektet se si të sillen me paranë publike, theksoi kryeministri Mustafa.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për ndryshimin e normave të akcizës të disa mallrave. Sipas vendimit është rritur akciza në duhan, mjete piroteknike, kazinotë dhe lojërat e fatit. Për kazinotë dhe lojërat e fatit do të bëhet rishikimi i vendimit çdo tre muaj, me mundësinë e ngritjes së mëtejshme të akcizës.
Kryeministri Isa Mustafa, në këtë pikë kërkoi që të shqyrtohen mundësitë e rritjes së mëtutjeshme të akcizës sidomos për kazinotë, duke shprehur nevojën që të mbrohen sidomos nxënësit, fëmijët dhe të rinjtë. Kjo do të mundësonte që edhe të kemi efekte buxhetore, por të kemi edhe efekte sociale dhe efekte edukative të cilat ne mund ti arrijmë, theksoi kryeministri Mustafa.
Kabineti qeveritar ka miratuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për anëtarë të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Propozimi do të përcillet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës Mbrojtje Civile e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës.
Këto konkluzione janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel. Vendimi i sotëm është pjesë e përmbushjes së obligimeve të Qeverisë së Kosovës që dalin nga dialogu dhe ofron bazën legale për institucionet e Kosovës që të bëjnë integrimin e 483 personave në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm shuarjen e këtyre strukturave që kanë vepruar në veri të vendit, dhe integrimin sipas ligjeve të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës. Natyrisht që është një kosto shtesë sepse është fjala për 483 punonjës, mirëpo, poashtu jemi konsultuar edhe me Ministrinë e Financave. Ne kemi një hapësirë të punësimit për këtë vit, dhe natyrisht edhe buxhetit të punësimit.
Ne duhet të zbatojmë një vendim të tillë, në mënyrë që ti integrojmë këto struktura, dhe pastaj sipas proceseve që ministrja i paraqiti këtu, ne do të bëjmë shuarjen e tyre, dhe poashtu do të bëjmë edhe shfrytëzimin e të gjitha objekteve dhe hapësirave që janë shfrytëzuar për ato qëllime, për institucionet legale të Republikës së Kosovës, që veprojnë në veri të vendit, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ky është edhe një obligim edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat janë quar përpara këto procese, duke shprehur besimin se po përmbyllet ky proces dhe se do ti përmbyllen edhe proceset tjera që janë përpara.
Me propozimin e ministrit të Financave, është aprovuar Plani Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave. Agjencia e të Hyrave do të integrojë Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Krijimi i kësaj agjencie bazohet në nevojën për përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve, reduktimin e hendekut tatimor dhe struktura më efektive të mbledhjes së tatimeve, rritjen e efikasitetit dhe zvogëlimin e kostove në mbledhjen e tatimeve, rritjen e autonomisë së institucioneve që mbledhin tatimet dhe krijimin e strukturave efektive për implementimin e politikave tatimore dhe doganore.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin e emrit të Ndërmarrjes Publike PTK-ShA në Telekomi i Kosovës Sh.A.
Kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, i është vazhduar mandati edhe për tri vjet, me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka ndryshuar dhe plotësuar edhe Programin legjislativ të Qeverisë së Kosovës për vitin 2015.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka përsëritur shqetësimet lidhur me incidentet me të kthyerit në komunat e Istogut, Pejës dhe Klinës.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Isa Mustafa theksoi zotimin dhe angazhimin e Qeverisë, edhe përmes ministrive përkatëse, Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe tjerave, në mënyrë që të sigurohet që ligji do të veprojë në të gjitha pjesët e vendit tonë . Si Qeveri, kemi bërë ftesë edhe përpara, jemi përcaktuar edhe në Programin Qeveritar, që ne do të zbatojmë sistemin e drejtësisë. Dhe ne jemi për atë që në të gjitha rastet e vrasjeve, dhe të humbjes së jetë njerëzve të zbardhen, dhe kryesit e këtyre veprave të dalin para drejtësisë. Do të angazhohemi maksimalisht, po e themi këtu që mos të angazhohemi mbi baza nacionale, por që çdo dyshim, për çdo vrasje duhet të përgjigjen njerëzit dhe kryesit e këtyre veprave. Është një sukses i drejtësisë së Kosovës në qoftë se ne arrijmë, ndërkaq ne si Qeveri do të angazhohemi që kjo të zbatohet, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ndërkaq, ministri pa portofol, Rasim Demiri, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën dhe takimet e zhvilluara në Bruksel.