Mbahet konferenca mbi Drejtësinë Tranzicionale
Prishtinë, 10 tetor Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri, sot ka marrë pjesë në konferencën mbi Drejtësinë Tranzicionale të organizuar nga UNDP me rastin e implementimit të programit Avancimi i Drejtësisë Gjinore 2012-2014, program ky i financuar nga Qeveria e Holandës e që ka për qëllim që përmes kësaj konference të ofrohet një diskutim gjithëpërfshirës mbi drejtësinë tranzicionale që synon të rrisë dhe të përmirësoj njohuritë dhe informacionet për publikun dhe komunitetin juridik, si dhe agjencitë dhe shoqërinë civile që merren me drejtësinë tranzicionale.
Me këtë rast Zëvendësministri Ymeri tha se drejtësia tranzicionale është një proces shumë i rëndësishëm nëpër të cilin kalojnë shtetet kryesisht pas përfundimit të luftërave.
Mënyra se si një shtet ballafaqohet me të kaluarën është specifike për secilin vend dhe varet nga shumë faktorë. Padyshim se pjesë esenciale e drejtësisë tranzicionale është realizimi i të drejtave të qytetarëve për të ditur të vërtetën dhe për të realizuar dëmshpërblim për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare si krimet e luftës, gjenocidi dhe krimet e rënda. Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim me të cilin është themeluar Grupi Punues Ndër-Ministror mbi Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtimin (GPNM) me qëllimin kryesor të hartimit të një Strategjie Kombëtare të drejtësisë tranzicionale dhe besojmë se hartimi i Strategjisë Kombëtare është hapi i parë dhe kryesorë në kuadër të drejtësisë tranzicionale që do të ndihmojë qytetarët të përballen me të kaluarën më lehtë. Konkretizimi i strategjisë në praktikë do të rezultojë në realizimin e të drejtave të qytetarëve të prekur nga krimet e luftës, tha Ymeri.
Ymeri shtoi se Qeveria e Kosovës edhe më tutje do të vazhdojë të mbështesë grupin punues ndër-ministrorë por edhe iniciativa tjera që kanë për qëllim të ndihmojnë në çështjet që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale.
Në këtë takim kanë marrë pjesë Zëvendës Përfaqësuesja Rezidente e UNDP-së në Kosovë, Steliana Nedera, Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, përfaqësues nga Fondi për të Drejtën Humanitare, përfaqësues nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, si dhe përfaqësues nga institucionet tjera dhe shoqëria civile.