Mbahet ceremonia e inaugurimit të Hashim Thaçit President

Prishtinë, 8 prill - Sot në sheshin Skënderbeu në Prishtinë do të mbahet ceremonia e inaugurimit të Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në ceremoni janë ftuar 50 përfaqësues të shteteve të ndryshme, ndërsa në total janë 1300 të ftuar për të marrë pjesë në inaugurimin e kreut të ardhshëm të shtetit, njofton Klan Kosova.
Një ditë para inaugurimit në qendër të kryeqytetit, Hashim Thaçi është betaur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se me rastin e ceremonisë së inaugurimit të presidentit të Republikës së Kosovës, policia ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Në këtë kontest, Policia e Kosovës, me qëllim të shmangies së tollovive dhe krijimit të kolonave të mundshme në trafik, do të ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat, përveç atyre të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.
Bllokimi, ndalja dhe ri-drejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:
Bllokimi i rrugës Agim Ramadani do të bëhet tërësisht duke filluar nga ora 09:00 (prej udhëkryqit tek xhamia që të shpie në drejtim të Gërmisë deri te udhëkryqi i Ministrisë së Arsimit), deri në përfundim të ceremonisë.
Bllokimi i rrugicave që lidhen me rrugën Agim Ramadani, në drejtim të sheshit dhe bllokimi i rrugicave që lidhen me rrugën Luan Haradinaj, në drejtim të sheshit ( intervali kohor i njëjtë).
Ri-drejtimi dhe bllokimi i kohëpaskohshëm i rrugës që shpije në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari, në intervale të shkurta kohore përderisa të kalojnë eskortat me delegacione të larta.