20 Janar 2025

Mbahet Akademi Përkujtimore për Pajazitin, Zejnullahun dhe Hoxhën

Prishtinë, 31 janar - Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e 19 vjetorit të rënies heroike të Heronjve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Të pranishëm në këtë akademi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, komandanti i FSK-së, familjarë të familjeve Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, familjarë të dëshmorëve, si dhe përfaqësues të tjerë.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve foli ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.

Ndërsa në emër të Zonës Operative të Llapit, për jetën, veprën dhe luftën e lavdishme të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, foli ish-komandanti i Zonës, Rrustem Mustafa.

Në emër të familjarëve të heronjve të pranishmit i ka përshëndetur, Bajram Zejnullahu.

Fjalimi i plotë i ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në Akademi:

Edhe në fundjanarin e këtij viti, nën patronatin e Qeverisë së   Kosovës në krye me Kryeministrin Isa Mustafa, është organizuar akademia përkujtimore në shenjë të respektit dhe përkujtimit të jetës dhe veprës së tre heronjve të kombit dhe të shtetit,  Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, të cilët ranë heroikisht në altarin e lirisë pikërisht me 31 janar të vitit 1997.

Rënia heroike e tyre në janarin e vitit 1997, ia shtoi listës së “janarëve të përgjakshëm” të historisë tonë kombëtare edhe tre dëshmorë të devotshëm, të cilët njëherësh u bënë paralajmërues të luftës së lavdishme çlirimtare të UÇK-së, epilogu i të cilës ishte çlirimi përfundimtar i Kosovës nga okupimi serb.

Kështu gjaku i këtyre tre trimave dhe heronjve të pavdekshëm u derdh dhe njomi themelet e pavarësisë së shtetit tonë dhe të lirisë të cilën ne jemi duke e gëzuar sot.

Ishin ditë të zymta të janarit të acartë të vitit 1997,  ditë të rënda të pushtimit të egër të pushtuesit serb, kohë kur në shumicën e ish-republikave të Jugosllavisë, tanimë kishin përfunduar luftërat e përgjakshme në të cilat ishin vrarë me qindra mijëra civilë të pafajshëm, por njëherësh ishin kohëra të përgatitjes së patriotëve dhe atdhedashësve kosovarë në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari për të filluar luftën e armatosur ndaj pushtuesit shekullor të Kosovës, duke vlerësuar se liria është më e shtrenjtë se jeta, andaj kishin vendosur që të luftonin dhe të mposhtnin okupatorin serb njëherë e përgjithmonë.

Në kuadër të rezistencës tonë kombëtare çlirimtare, e cila ishte ndërtuar dhe kalitur nëpër shekuj dhe përmes brezave të shumë e shumë patriotëve, heronjve, martirëve dhe atdhedashësve shqiptarë, shquheshin për përkushtimin patriotik dhe zinin vend të rëndësishëm edhe tre heronjtë tonë, 19 vjetorin e rënies të cilëve po e përkujtojmë sot në këtë akademi.

Po vërtetë kush ishte Zahir Pajaziti.

Zahir Pajaziti u lind në nëntorin e vitit 1962 në Turuqicë të  Podujevës, në një familje me traditë dhe kulturë patriotike, duke u  ngritur dhe formësuar, që nga rinia e hershme me edukatën dhe ndjenjën e patriotizmit dhe me idealin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit  serbo sllav.

Frymën dhe edukatën e tij patriotike, heroi ynë kombëtar Zahir Pajaziti, fillojë t’i zbatonte në praktikë qysh në moshën e hershme të tij, përmes aktivitetit patriotik konkret, duke kaluar ilegalisht në Republikën e Shqipërisë dhe duke marr pjesë aktive në aktivitetet kombëtare antijugosllave të viteve ‘80-ta, të cilat paralajmëruan shpërbërjen dhe rrënimin përfundimtar  të krijesës artificiale, të quajtur Jugosllavi.

Si pasojë e aktivitetit të tij të vazhdueshëm ai u vë në shënjestër dhe u ndëshkua me dënim më burg nga pushteti i atëhershëm.

Mirëpo ndjekja, persekutimi dhe dënimi nga qarqet jugosllave, nuk munden ta zmbrapsin dhe ndalojnë nga aktiviteti i tij kombëtar, por përkundrazi ndikuan te Zahiri, që të krijojë një vetëdije të formësuar politike dhe të intensifikoj aktivitetin e tij për çlirimin e Kosovës.

Në këtë periudhë kohore, pra në vitet e ’80-ta në Kosovë rrethanat shoqërore politike po hynin në etapën e ndryshimeve intensive dhe dramatike.

Këto zhvillime politike, e detyruan regjimin serbo-sllav që përmes ndërhyrjes ushtarako policore të orvatej, të heshte dhe të shuante pakënaqësinë e popullatës shqiptare në Kosovë.

Kështu Serbia, respektivisht ish Jugosllavia e krijoj një realitet të ri, një realitet shumë të rëndë shoqëror politik në Kosovë, duke suprimuar të gjitha institucionet e autonomisë së Kosovës së atëhershme, duke mbyllur dhe vënë jashtë funksioni  çdo segment shqiptar në Kosovë, si punësimin, arsimin, kulturën etj., thjesht duke bërë një riokupim ushtarako-policor të  Kosovës nga ana e saj.

Në këto rrethana të riokupimit ushtarako-policor të Kosovës, Zahiri me shokët dhe bashkëveprimtarët e tij, dalin me idetë dhe planifikojnë  veprime  konkrete të armatosura, që ata i vlerësonin si veprime të skajshme, por të domosdoshme, pra ishte fjala për përgatitjet ushtarake për luftën për çlirimin e Kosovës.

Viti 1991, ishte koha kur në Kosovë zhvilloheshin përgatitjet përfundimtare për organizimin e rezistencës së armatosur ndaj Serbisë, andaj Zahiri si një aktivist i palodhshëm dhe i pakursyer i lëvizjes sonë kombëtare, vendos që së bashku me një grup atdhedashës të shkojë në Shqipëri, me qëllim të stërvitjes dhe përgatitjes për veprime ushtarake.

Me t’u kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet nga pushtuesi jugosllav, andaj Zahiri detyrohet të kalojë dhe vazhdojë veprimin e tij në ilegalitet, për një kohë të caktuar.

Gjatë vitit 1994, Zahiri intensifikon aktivitetin e tij kombëtar, duke zgjeruar rrethin e njerëzve me të cilët bashkëvepronte për çështjen nacionale, si dhe duke u  angazhuar në organizimin dhe shtrirjen e aktivitetit patriotik  edhe në pjesë e tjera të Kosovës, e që për qëllim kishte themelimin e një Force të Armatosur për Çlirimin e Kosovës.

Falë kësaj veprimtarie të palodhshme dhe të guximshme të tij, ai u bë njëri nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe njëri prej  anëtarëve të parë të tij.

Në rrethanat e zhvillimit të rezistencës së armatosur, Zahir Pajaziti  vazhdon me aktivitetet e tij guerile-ushtarake shumë të suksesshme, kundër forcave okupuese serbe në Kosovë, me theks të posaçëm në regjionin e Llapit.

Me shtimin e radhëve, intensifikimin e aktiviteteve, përpjekjeve për zgjerim dhe koordinim të veprimtarisë guerile dhe përgatitjeve për kryengritjen e armatosur çlirimtare, në  janar të vitit 1997 veprimtaria e tij dhe e grupit të tij zbulohet nga sigurimi serb.

Duke qenë  përherë në shërbim të atdheut dhe të idealeve për çlirimin e vendit, me 31 janar  të vitit 1997, Zahir Pajaziti gjatë udhëtimit nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë i shoqëruar nga bashkëluftëtari dhe nipi i tij Hakif Zejnullahu, si dhe nga bashkëluftëtari tjetër Edmond Hoxha nga Juniku, bien në pritën e forcave ushtarko-policore serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

Pas një përleshjeje të armatosur me forca policore serbe të cilat për nga numri ishin dhjetëra herë më të mëdha, që të tre trimat kosovar bien heroikisht në krye të detyrës, në luftën për çlirimin e atdheut.

Rënia e tyre ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare, por në të njëjtën kohë ishte një frymëzim i jashtëzakonshëm për grupet e para të UÇK-së. Rënia e tyre ishte një rënie paralajmëruese, e cila shërbeu si një frymëzim për rininë kosovare që t’i bashkëngjiten radhëve të forcave që luftonin për lirinë e atdheut.

Sot, kur Kosova dhe populli i saj jeton dhe frymon në lirinë e fituar me angazhimin, veprimtarinë patriotike të Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe të gjithë heronjve tonë të lirisë, ne përulemi para jetës dhe veprës së tyre, duke ju premtuar se përherë do të jemi mirënjohës dhe do të vlerësojmë përjetësisht kontributin, sakrificën dhe gjakun  e tyre të derdhur për lirinë e vendit.

Ata sot jo vetëm që janë heronj të Kosovës, heronj të kombit, por janë edhe udhërrëfyes dhe idhuj kombëtar të popullit, rinisë dhe të gjitha shtresave të vendit tonë.

E them këtë, sepse jam i vetëdijshëm se pikërisht mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi  mundin  dhe angazhimin shumë shekullorë të gjithë popullit tonë, në shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, u përcjell me njohje të shpejta ndërkombëtare si dhe me krijimin e institucioneve relevante shtetformuese.

Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u  themelua edhe  FSK-ja, që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur. Ajo ndoqi traditën e edukimit patriotik mbi historinë dhe sakrificën e lavdishme të popullit tonë.

Jam thellësisht i bindur se  Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, gjatë këtij viti do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Forcat e Armatosura të  Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe   anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.

Përmbushja dhe realizimi i këtyre objektivave  të Forcave të Armatosura të Kosovës, paraqet plotësimin e një dëshire, jo vetëm të popullit të Kosovës, por edhe të Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe të gjithë luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të vendit tonë.

Nuk ka dyshim se heronjtë e kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha do të ndihen të qetë në altarin e lirisë,  vetëm atëherë kur të gjithë ne drejtuesit e shtetit  dhe tërë popullata jonë punojmë dhe e ndërtojmë shtetin  në  të cilin sundon ligji, dhe i cili do të përmbush kriteret dhe standardet për t’u anëtarësuar dhe integruar si në Union Evropian ashtu edhe në Aleancën Veri Atlantike të NATO-s, si dhe në organizmat tjerë relevantë ndërkombëtar, aty ku  ne do të jemi së bashku dhe do të bashkëpunojmë me aleatët  dhe fqinjët tanë.

Gjithsesi, ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, është plotësimi më i mirë i amanetit të Zahirit dhe gjithë dëshmorëve të tjerë të vendit.

Lavdi jetës dhe veprës së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)