Mbahen konsultime publike për zbatimin e MSA-së
Në hapje të këtij takimi, ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku, theksoi se MSA-ja do të kërkojë reforma gjithëpërfshirëse të sistemit tonë ekonomik e politik dhe se përmes reformave dhe harmonizimit të legjislacionit vendor me Acquis-në e BE-së, ajo do ti sjellë Kosovës përfitime të mëdha ekonomike përmes liberalizimit të tregut me atë të Bashkimit Evropian dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve.
Ne si Qeveri jemi thellësisht të interesuar që gjatë tërë procesit të zbatimit të MSA-së të kemi përfshirjen aktive të të gjitha palëve të tjera të interesuara: partive politike, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, universiteteve e organizatave të ndryshme hulumtuese, mediave, e akterëve të tjerë."
"Kjo pasi që jemi të bindur se vetëm kështu mund të sigurojmë zbatim të suksesshëm të saj. Kurse zbatimi i suksesshëm i MSA-së, në veçanti gjatë pesë viteve të ardhshme, do të jetë vendimtar për vet të ardhmen tonë, pasi që nga kjo nga do të varet hapi i ardhshëm i madh, pra statusi i vendit kandidat dhe fillimi i negociatave të anëtarësimit, ka vlerësuar ministri Çollaku.
Hartimi i Programit Kombëtar ka thënë se është një nga obligimet bazë ligjore që rrjedhin nga MSA. Ministri Çollaku po ashtu ka theksuar se ky program do të vendos një kornizë gjithëpërfshirëse të reformave të nevojshme.
Me fjalë të tjera, ajo përmban masa afatshkurtra (që mbulojnë vitin 2016) dhe prioritete afatmesme (që mbulojnë vitet 2017-2020). Secili kapitull do të përmbaj dy lloj masa: masat legjislative dhe masat implementuese, ka shpjeguar ai.
Gjithashtu sqaroi se programi është i ndarë në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike dhe Standardet Evropiane.
Si i tillë, Programi për Zbatimin e MSA-së do të shërbejë si dokumenti kryesor strategjik nacional për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të të gjitha reformave të nevojshme deri në negociatat për anëtarësimin në BE dhe më tej, shtoi ndër të tjera ministri Çollaku.
Lidhur me Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vijim kanë folur edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Samuel Zhbogar, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, kryesuesja e Komisionit për Integrim Evropian në Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Teuta Sahatqija si dhe z. Leon Malazogu, drejtor ekzekutiv në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D).
Diskutimet mbi përmbajtjen e draftit vazhduan nëpërmjet grupeve punuese të ndara sipas sektorëve që lidhen me kriteret politike e administrative, drejtësi, liri e siguri, me kriteret ekonomike dhe tregun e brendshëm si dhe me politikat sektoriale.
Pritet që pas konsultimeve publike me organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin e biznesit, Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së të finalizohet dhe të miratohet fillimisht në Qeveri dhe pastaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
.