Masakra e Reçakut trokiti në ndërgjegjen e botës së civilizuar
Reçak, 15 janar - Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, që njëherësh është edhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me nënkryetarin për Çështje Rinore, Eroll Venharin, kryetarin e degës së PD-së në Shtime, Muhamet Ademi, me rastin e 17 vjetorit të masakrës së Reçakut kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në këtë fshat.
Agani me këtë rast ka thënë se 15 janari është ditë e dhimbjes dhe krenarisë së popullit tonë, që simbolizon fatin historik të kaluar përmes vuajtjeve dhe sakrificave.
Po ashtu ai tha se masakra e Reçakut ka trokitur në ndërgjegjën e mbarë botës së civilizuar, duke pasqyruar veprimet e çmendura të ushtrisë dhe policisë serbe dhe grupeve të tyre paramilitare për spastrim etnik, pa zgjedhur viktimat, duke vrarë pleq e të rinj.