Marrëveshja për misionin e ri, në mars
Prishtë, 22 janar - Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka bërë me dije se fundi i shkurtit, eventualisht fillimi i marsit, do ta sjellë marrëveshjen për misionin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës dhe ato të BE-së në Bruksel i kanë përafruar qëndrimet rreth kësaj çështje, por ende nuk dihet definitivisht se si do të duket ky mision.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Kuçi ka bërë me dije se Kosovës i duhet një mision këshillëdhënës, monitorues dhe me aktivitet të veçantë në veriun e Kosovës. Jemi në fazën e negocimit ende. Do të thosha se ne duhet të kemi konsensus nacional në radhë të parë brenda Kosovës me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pastaj ta kemi edhe konsensusin me anëtarët e BE-së.
Ajo çka dua të them është se, misioni i BE-së do të ketë mision këshillëdhënës, monitorues. Do të ketë edhe aktivitet të veçantë në veriun e Kosovës, ka thënë Kuçi.
Ai ka treguar se ky mision do të kryejë punë të barabarta me gjyqtarët dhe prokurorët vendorë.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se institucionet vendore dëshirojnë që ky mision të jetë nën ombrellën e sistemit juridik të Kosovës. Qëllimi ynë është që ata të jenë brenda ombrellës së sistemit juridik të Kosovës, që nënkupton brenda autoritetit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës dhe ti kryejnë detyrat e barabarta sikurse prokurorët dhe gjyqtarët vendorë natyrisht, duke pasur privilegje dhe imunitetet e garantuara, ka thënë ai.
Kuçi ka deklaruar se misioni i ardhshëm i BE-së do të ketë një emër tjetër dhe se pritet të ketë mandat dyvjeçar.
Vlerësoj se misioni i ri i BE-së duhet ti ketë dy detyra: e para, që ka të bëjë me implementimin e marrëveshjeve që janë arritur në procesin e dialogut; e dyta, me obligimet tona që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, respektivisht të liberalizimit të vizave, është shprehur Kuçi.