03 Maj 2024

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në përgjithësi është duke u zbatuar

Prishtinë, 11 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se marrëveshja për lirinë e lëvizjes në përgjithësi është duke u zbatuar mirë që nga 26 dhjetor 2011 kur ka hyrë në fuqi zbatimi i saj.

Në bazë të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, për periudhën 26 dhjetor 2001 deri më 9 janar 2012, numri i shtetasve të Kosovës që kanë hyrë në Serbi apo kanë kaluar transit për shtete tjera, përfshinë 2949 persona dhe 899 automjete.

Megjithatë, në procesin e zbatimit janë shfaqur edhe probleme nga ana e palës serbe, të cilat janë tejkaluar me angazhimin e Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Më këtë marrëveshje të arritur në Bruksel mes dy shteteve, për herë të parë pas shumë vitesh shtetasve të Republikës se Kosovës u mundësohet lëvizja e lirë drejt shtetit fqinjë Serbisë duke shfrytëzuar dokumentet e Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje sipas qeverisë është e bazuar në parimin e reciprocitetit dhe angazhimeve për krijim të lehtësirave në qarkullim të lirë sipas standardeve të BE-së, dhe se qytetarët mund të kalojnë kufirin mes shteteve përmes të lejeve të njoftimit të  shoqëruar me  një letër për hyrje e dalje të cilën e japin autoritetet kufitare të të dyja shteteve.

\"Konsiderojmë se kjo marrëveshje ka rëndësi sidomos për diasporën e Kosovës, ku qytetarët tanë që jetojnë në shtetet e Evropës përveç alternativave tjera të ardhjes në vendlindje, mund të shfrytëzojnë edhe këtë mundësi që e ofron marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2 korrik 2011 në Bruksel\", thuhet në deklaraten e qverisë së Kosovës.

Ç’është me rëndësi të theksohet se gjatë periudhës së festave, për shkak të fluksit të shtuar të kalimeve kufitare janë shfaqur disa pengesa nga data 6 deri më 9 Janar 2012,  ku në dy pikat e kalimit kufitar në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, janë krijuar pritje të gjata ngase kontrolli në anën serbe ishte i ngadaltë. Këto pengesa kanë qenë më shumë të shprehura në pikën kufitare në Merdarë, ku madje për një kohë ka pasur edhe ndalesa për kalimin e qytetarëve me dokumentet e  Kosovës.

Arsyet  e dhëna nga pala serbe kanë qenë të natyrës teknike përkatësisht sepse sistemi elektronik i tyre ka funksionuar me vështirësi përballë fluksit të madh të qytetarëve. 

Qeveria e Republikës së Kosovës është angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve duke kërkuar ndërmjetësimin e BE-së e cila është edhe garantuese e marrëveshjeve në dialogun teknik.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka qenë në kontakte të vazhdueshme me Bashkimin Evropian dhe ndërmjetësin Robert Cooper, nga i cili ka kërkuar të bëjë presion ndaj palës serbe për evitimin e këtyre problemeve, dhe se ndërhyrja e BE-së solli rezultate duke rikthyer normalizimin e gjendjes në lëvizjen e lirë të shtetasve të Kosovës për në Serbi.

Pas këtyre pengesave të krijuara nga ana e palës serbe, konsiderojmë se pavarësisht fluksit të madh të qytetarëve në pikat kufitare që zakonisht shfaqen në periudha festash, pala serbe është dashur të përgatitet më mirë për ti përballuar këto flukse, ashtu sikurse Qeveria e Kosovës e cila me efektivitet të lartë e zbatoi marrëveshjen për lëvizjen e lirë edhe në periudha të festash e të flukseve të mëdha të qytetarëve.

Qeveria e Kosovës ka përgatitur një raport zyrtar lidhur me pengesat e krijuara në zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga ana e Serbisë, të cilin raport do ta prezantojë gjatë raundit të radhës në Bruksel ku edhe do të diskutohet për rrjedhat në zbatimin e marrëveshjeve.

Qeveria e Kosovës i fton qytetarët që të raportojnë pranë institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çdo parregullsi eventuale që mund ta kenë gjatë kalimit të kufirit shtetëror Kosovë – Serbi, me qëllim të identifikimit dhe eliminimit të pengesave në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)