Marrëveshja nuk krijon një OJQ por qon në nivel të tretë qeverisës
Prishtinë, 26 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se respekton dhe inkurajon lirinë e asociimit qoftë të individëve, organizatave apo komunave, siç garantohet me Kushtetutë.
Mirëpo, KDI konsideron se Marrëveshja e arritur në Bruksel për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, shkon përtej lirisë së asociimit sipas rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
\"Ky Asociacion/Bashkësi nuk përbën një organizatë jo-qeveritare (OJQ) siç ishte paralajmëruar por qon në një nivel të tretë qeverisës.\"
Arsyet pse ky Asociacion/Bashkësi na qon drejt një niveli të tretë qeverisës (në mes të komunës dhe Qeverisë qendrore) është sepse:
- Ka mbikëqyrje të plotë në arsim (aktualisht përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit) Pika 4.b e Marrëveshjes;
- Ka mbikëqyrje të plotë në përmirësim të shëndetësisë (aktualisht përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë) Pika 4.c e Marrëveshjes;
- Ka mbikëqyrje të plotë në zhvillim ekonomik lokal (aktualisht përgjegjësi e komunave) Pika 4.a;
- Ka mbikëqyrje të plotë në koordinim të planifikimit urban/rural (aktualisht përgjegjësi e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor) Pika 4.e;
- I lejohet delegimi i kompetencave nga niveli qendror (aktualisht vetëm komunave u lejohet delegim i kompetencave) Pika 5;
- I lejohet të iniciojë procedurë në Gjykatën Kushtetues (Me Kushtetutë, as komunës nuk i lejohet. Vetëm Presidenti, Qeveria, Avokati i Popullit dhe deputetë mund të iniciojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese) Pika 11.
Si dhe ky Asociacion/Bashkësi nuk përbën OJQ sipas ligjeve të Kosovës për këto pesë arsye:
- Punëtorët e saj do të jenë shërbyes civil sipas Ligjit për Shërbimin Civil (OJQ-të nuk kanë shërbyes civil) Pika 6.e e Marrëveshjes;
- Buxheti do ti administrohet me ligjin për prokurimin publik (nuk është rasti për OJQ) dhe auditohet nga Auditori i Përgjithshëm (nuk është rasti për OJQ) Pika 16;
- Financohet nga transfere të qeverisë qendrore (pra vijë buxhetor të veçantë në buxhet të Kosovës dhe të garantuar) Pika 17.c;
- Në emër të Asociacionit/Bashkësisë propozohet Komandanti i Policisë për rajonin e veriut (OJQ-të nuk munden në emër të tyre të nominojnë Komandant të Policisë) Pika 13;
- Nuk thotë se Statuti i Asociacionit/Bashkësisë duhet të aprovohet nga Ministra e Administratës Publike Pika 21.
Më tutje ky entitet si është negociuar me këtë marrëveshje paraqet sfidë për shtetin sepse:
- Krijon entitet një-etnik dhe shkel parimet e shumë-etnicitetit të garantuar me Kushtetutë; si dhe thellon ndarjet etnike në Kosovë; po ashtu, përbën një entitet që është suprem ndaj një etnie (serbe) kundër etnive tjera që jetojnë në Kosovë;
- Pengon integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe kthen prapa investimin e deritanishme të shoqërisë për integrimin e serbëve në institucione të Kosovës;
- Nxitë etnitë tjera rajonale në Kosovë dhe krijon asimetri të kompetencave dhe ndarjeve buxhetore me komunat tjera;
- Mund të dobësoj këto 10 komuna si institucione vetë-qeverisëse pasi i delegon disa përgjegjësi tek një entitet tjetër dhe mund të shkaktoj pengesa në ushtrimin e kompetencave.
- Mund të pengoj shtrirjen e planeve nacionale në fushën zhvillimit ekonomik, shëndetësisë, arsimit dhe planifikimit urban/rural tek komunat pjesëmarrëse.