Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, Hysenisot në Tiranë

Tiranë, 19 prill - Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe njohja e Pavarësisë së saj, do të jenë në qendër të takimeve të nivelit të lartë që Ministri i Punëve te Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni do të zhvillojë sot në Tiranë.
Kreu i diplomacisë së Kosovës do të jetë në Tiranë me ftesë të Zv/ kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta me të cilin pritet të dalin pasditen e së hënës dhe në një konferencë për shtyp.
Ndërkaq, të martën, ministri Hyseni do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli si dhe nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Lobimi i diplomacisë shqiptare për njohjen e pavarësisë së Kosovës është vlerësuar së fundi edhe gjatë vizitës në Shqipëri, të kryeparlamentarit kosovar, Jakup Krasniqi.