Markusz thekson përkrahjen e Hungarisë për Kosovën
Prishtinë, 17 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
Kryeministri Mustafa i uroi ambasadorit Markusz sukses gjatë misionit në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe të marrëdhënieve me Hungarinë.
Kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin hungarez edhe për progresin në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Programit Qeverisës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit, agjendën evropiane si dhe reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësi.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast falënderoi Hungarinë për përkrahjen e shumanshme për Kosovën, veçanërisht në proceset integruese evropiane.
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, shprehu përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë në ekonomi, duke folur edhe për mundësitë që bizneset hungareze të investojnë në Kosovë.
Ambasadori Markusz theksoi edhe përkrahjen e mëtutjeshme të Hungarisë për proceset integruese evropiane të Kosovës.