Marhnac: Nuk ka krizë humanitare në Kosovë
Prishtinë, 17 dhjetor - Konvoji prej 25 kamionëve rusë që bartnin ndihma humanitare për serbët e veriut të Kosovës, dje kaloi pikën kufitare të Jarinjes , pas një marrëveshjeje të arritur në mes të BE-së dhe Moskës.
Mirëpo, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit - EULEX, Xavier Bout de Marhnac, ka hedhur poshtë brengat se në Kosovë ka krizë humanitare.
Të gjithë e dimë se nuk ka krizë humanitare në Kosovës, dhe kjo është e dukshme. Nëse ata (Rusia) dëshirojnë të tregojnë mbështetjen e tyre në çfarëdo mënyrë, përse të mos e bëjnë? Por ajo mbështetje duhet të bëhet duke respektuar parimet themelore që janë parimet e sundimit të ligjit. Është normale që të kontrolloheni kur kaloni portat. Ky është standard bazë kudo në Evropë, ka thënë de Marnhac në një intervistë për AP-në.
Konvoji i ndihmave ruse qëndroi i bllokuar për tri ditë rresht në kufi pasi që protestuesit serbë nuk pranuan të lejonin policinë e EULEX-it të kalonte nëpër zonë. Përfundimisht, tri makina policore të EULEX-it shoqëruan konvojin e ndihmave ruse, ndihma këto që u mirëpritën nga serbët e veriut të Mitrovicës.
Ndryshe, autoritetet doganore e policore të Kosovës, bashkë me ato të EULEX-it, pas kontrollit në kufi, zbuluan se kamionët nga Rusia përmbanin soba për ngrohje, gjeneratorë, tenda dhe një sasi e vogël ushqimi të konservuar.