Maraj: Nuk isha pjesë e organizatës Sigurimi i Atdheut
Prishtinë, 18 nëntor - Këshilltari special i ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Ramë Maraj është shfaqur në publik dhe ka folur në një konferencë për media në periferi të Prishtinës.
Ramë Maraj që përflitej si udhëheqës i Shërbimit ''Sigurimi i Atdheut'' ka mohuar çdo lidhje me të, madje e quan fantome organizatën që thuhet se ka qenë e afërt me LDK-në.
Maraj tha se nuk ka asnjë burim se ka ekzistuar ky shërbim sekret, perveq shpifjeve në gazeten serbe Svedok.
Atij i ka mbetur hatri me disa njerëz që së fundi e kanë ndërlidhur emrin e tij si Shefi i Sigurimit të Atdheut.
Sipas tij, Florin Krasniqi i Vetëvendosjes, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, Burim Ramadani i AAK-së dhe Jeta Xharra kanë shpifur.
Kërkoj ballafaqim publik me ta. Ka disa shkresa që tregojnë për mënyrën e paligjshme të punëve të Pacollit. Po ashtu edhe disa të tjera që tregojnë për transferimin e disa fondeve në Serbi nga Jeta Xharra. Kërkoj që ata ti komentojnë ka thënë Maraj duke refuzuar ti ofroj.
Ndërsa për Krasniqin e Ramadanin ka thënë se habitet si e kanë përmendur emrin e tij si shefi i ''Sigurimit të Atdheut'' pa fakte.
Maraj nuk ka pranuar të ofroj detaje më shumë për sigurimin e dokumenteve, duke thënë se disa i ka siguruar në kohën kur e drejtonte gazetën ''Iliria Post''. Maraj i ka bërë ftesë publike, Behgjet Pacollit, Florin Krasniqit dhe Jeta Xharrës që të ballafaqohen me të.
Ndërkaq sa i përket takimit të tij me Kadri Veselin, ish shefin e SHIK-ut, Maraj ka treguar se është takuar me të në Kosovë, pas luftës kur edhe duhej për të mirën e Kosovës. Ai ka thënë se me Isa Mustafën, kreun e LDK-së nuk ka ndonjë kontakt.
Në lidhje me deklarimet e Rame Maraj, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se nuk e njeh atë person dhe as që dëshiron ta njoh, por emrin e tij, deri më tani vetëm e ka dëgjuar.
"Gazetën Lajm, për të cilën ky person flet në deklarimet e tij, nuk e ka udhëhequr asnjëherë Behgjet Pacolli, dhe asnjëherë nuk ka qenë I përfshirë në politikat redaktuese të kësaj gazete. Për këtë mund të dëshmojnë stafi i gazetarëve dhe kryeredaktorëve që kanë qenë të angazhuar në atë medium", thuhet në reagimin e Pacollit.
Ai ka thënë me tutje se ç`farëdo letre, që ky zotëri, pretendon se posedon, le ta publikojë menjëherë, sepse zoti Behgjet Pacolli nuk i përket asaj kategorie të personave, të cilët ky zotëri pretendon se mund t`i shantazhojë dhe terrorizojë.