Maqedonia duhet të ridefinohet me Kushtetutë si shtet shumetnik
Prishtinë, 20 shkurt - Profesori, shkrimtari, publicisti dhe intelektuali Agim Vinca ka thënë se që të ekzistojë dhe prosperojë si shtet në një periudhë afatgjatë, Republika e Maqedonisë duhet të ridefinohet, duke u përkufizuar me Kushtetutë si shtet i dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve sllavë dhe shqiptarëve etnikë, si dhe i të tjerëve që jetojnë në të.
Në këtë intervistë për Epoka e re, Vinca thotë se formimi i qeverisë së re nuk duket as në horizont.
Sipas tij, të gjitha opsionet janë të mundshme: koalicioni i partive shqiptare, në radhë të parë i BDI-së me Gruevskin; koalicioni i BDI-së, i Aleancës për Shqiptarët dhe eventualisht edhe i Besës me LSDM-në, por edhe zgjedhjet e reja parlamentare si rrugë për daljen nga kriza.
Vinca ka thënë se nuk përjashtohet as ndonjë kompromis, që mund të vijë si rezultat i ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.
\"Zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni sollën një rezultat të tillë, që në njëfarë dore i faktorizon shqiptarët e defaktorizuar tmerrësisht shumë në vitet e fundit. Për herë të parë dy partitë kryesore maqedonase në Republikën e Maqedonisë: VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit dhe Lidhja Socialdemokrate (LSDM-ja) e Zoran Zaevit nuk janë në gjendje ta formojnë qeverinë pa bërë koalicion me partitë shqiptare.\"
\"E para ka 51, kurse e dyta 49 deputetë, ndërsa duhen 61 për ta pasur shumicën e thjeshtë në parlament. Kaluan dy muaj, kemi hyrë në të tretin, kurse formimi i qeverisë së re nuk duket as në horizont. Të gjitha opsionet janë të mundshme: koalicioni i partive shqiptare, në radhë të parë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që ka 10 mandate, me aleatin e saj të vjetër, Gruevskin; koalicioni i BDI-së, i Aleancës për Shqiptarët dhe eventualisht edhe i Besës me LSDM-në, por edhe zgjedhjet e reja parlamentare si rrugë për daljen nga kriza. Nuk përjashtohet as ndonjë kompromis që mund të vijë si rezultat i ndërhyrjes së ndërkombëtarëve\", ka theksuar ai.