MAPL-ja: Shpend ktheje flamurin
Prishtinë, 10 janar - Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u ka sqaruar komunave se simbolet shtetërore të Kosovës janë të obliguara të vendosen në hyrje të ndërtesave të komunave, në zyrat e kryetarëve dhe në sallat e asambleve komunale.
Shpjegimi zyrtar i Ministrisë vjen pas një kërkesë për sqarim që kishte bërë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti se ku është e obligueshme ligjërisht të vendosen simbolet kombëtare.
Sa i përket përdorimit të flamurit shtetëror në mjediset e brendshme, meqenëse Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës, janë organet kryesore të Komunës, flamuri shtetëror duhet të vendoset edhe në mjediset e brendshme, konkretisht, në sallën e Kuvendit të Komunës dhe në zyrën e Kryetarit të Komunës. Flamuri shtetëror mund të vendoset edhe në mjedise tjera të brendshme të zyrave publike dhe në këto raste, flamuri qëndron në të djathtë të vendit kryesor apo në tavolinën e punës, është thënë në përgjigjen e MAPL-së.
Kushtetuta e Republikës se Kosovës përcakton se simbole shtetërore janë: Flamuri, stema dhe himni. Prandaj, të gjitha institucionet shtetërore dhe publike obligohen të përdorin simbolet shtetërore ashtu siç përcaktohet me nenin 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është thënë më tej në përgjigje.
MAPL-ja ia ka bërë të qartë Shpend Ahmetit se nëse nuk i respekton simbolet shtetërore atëherë do të merren masa ligjore dhe kushtetuese ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë simbolet shtetërore.
Ne rastin konkret, flamuri shtetërore është i obligueshëm të vendoset në mjediset e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore dhe publike, prandaj, flamuri dhe sterna detyrimisht duhet të vendosen në hyrje të ndërtesës së Komunës, është thënë në përgjigjen e MAPL-së.