Malta e gatshme për të ndihmuar Kosovën në proceset e integrimit
Prishtinë, 7 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Maltës në Vjenë, jorezident për Kosovën, zotëri Colin Scicluna.
Ambasadori i Maltës, zotëri Scicluna, me këtë rast i përcolli përshëndetjet e kryetarit të Maltës dhe i dorëzoi letrat kredenciale Presidentes së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga.
Ai tha se Malta është një ndër shtete e para që e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Kosovën në proceset e integrimit në strukturat euroatlantike, pasi që ata e shohin të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi ambasadorin e Maltës për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës dhe për ndihmën e vazhdueshme që vendi i tij jep për Kosovën në rrugën e saj të integrimeve, përmes përvojës së saj.