Maloku: Posti i Kryeparlamentarit i takon PDK-së
Prishtinë, 17 qershor - Ish-anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Naim Maloku thotë se koalicioni opozitar është formuar shumë shpejtë. Ai thotë se posti i Kryeparlamentarit i takon partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, që në këtë rast është PDK.
Ai në një intervistë për Epoka e Re thotë se posti i kryeparlamentarit nuk mund ti takojë LDK-së, sepse sipas Rregullores së Punës ajo i takon partisë që ka fituar më së shumti vota.
Mendoj se fillimisht është dashur të pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve pastaj të veprohet apo të kërkohet interpretimi i Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese, se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë e re.
Mendoj se pikë së pari posti i kryetarit të Kuvendit nuk mund të jetë nga partia e dytë për shkak se edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që në seancën e parë konstituive të Kuvendit, grupi parlamentar apo partia që ka fituar më së shumti vota i jep dy kandidatë për anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, njërin për kryetar të Kuvendit dhe tjetrin për nënkryetarë. Pastaj partia e dytë nga partia shqiptare e jep një kandidat për Kryesi të Kuvendit.
Këto procedura është dashur ti dinë ata që e kanë formuar këtë koalicion dhe që kanë bërë pazare me postin e kryetarit të Kuvendit. Besoj se kanë qenë të vetëdijshëm se kjo nuk do të mund të ndodhte.
Duke folur për mundësitë për të dalë nga kjo krizë, Maloku thotë se mundësi e parë është që Qeveria të formohet nga partia fituese, e nëse nuk ndodhë kjo ka dhe dy opsione të tjera.
Mendoj se pas konstituimit të Kuvendit do të shihet se kryetari i këtij institucioni nuk mund të jetë nga LDK-ja, sepse i kam provuar edhe vetë disa herë këto procedura sa kam qenë anëtarë i kryesisë së Kuvendit dhe e di mirë Rregulloren e Punës së Kuvendit. Lidhur me atë se çka do të ndodhë pastaj, mendoj se janë dy zgjidhje: ose të formohet një qeveri teknike për një afat njëvjeçar ose të shkohet në zgjedhje të reja, ka thënë Maloku për Epoka e Re.
/Epoka e Re/