Malishevë: Shkeljet e vërtetuara dhe dorëheqjet e munguara
Malishevë, 23 dhjetor - Vendimi i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Malishevës për shpalljen e konkursit, në bazë të Raporteve Zyrtare Obligative të lëshuara nga Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), vërteton deklarimet dhe denoncimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
E po ashtu edhe të shumë mësimdhënësve të cilët përveç të tjerash edhe protestuan para Komunës së Malishevës.
Qeverisja aktuale me në krye me Kryetarin Begaj, Drejtorin e Arsimit Blerim Thaçi dhe shefi e Arsimit Halim Hoti, kanë bërë shkelje të rënda duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me qëllim punësimin e familjarëve, të afërmve dhe militantëve partiak.
Trajtimi me të padrejtë i dhjetëra mësimdhënësve dhe aplikantëve, duke ua shkelur të drejtat e tyre elementare, duke i diskriminuar hapur dhe duke ua fyer dinjitetin e tyre moral dhe profesional u dha nxënësve, fëmijëve tanë, shembullin më të keq nga ata që i paguajmë me taksat tona për edukimin e tyre shkencor e moral.
Ky hap nuk është reflektim vetëm i qeverisë Begaj. Ky është reflektim i përpjekjeve për të mbuluar pazaret me vendet e punës që kjo qeverisje i ka bërë gjatë zgjedhjeve si dhe marrëveshjet me LDK-në që solli kryetarin e degës së LDK-së Januz Kastrati si zëvendësdrejtor në Qendrën e Kompetencës, punësimin e disa anëtarëve të LDK-së në arsim, pranimin e ca të tjerëve si regjistrues të bujqësisë, në mesin e tyre edhe asambleistë të LDK-së.
Kjo marrëveshje përfshinte edhe përjashtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal, duke e hequr nga Komitetet e Kuvendit Komunal dhe duke na mbivotuar në çdo rast.
Minimumi që duhet të bëjë Kryetari i Komunës është që fillimisht ti kërkojë falje qytetarëve dhe prindërve që kanë fëmijët e tyre në shkollë. Ti kërkojë falje të gjithë atyre që u është mohuar vendi i punës, të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Arsimit dhe të pushojë nga puna shefin e arsimit.
Konkursit të ri duhet ti paraprijë formimi i komisioneve të reja me njerëz me integritet kurse intervistat të jenë publike me pjesëmarrje të lirë si dhe të bëhen publike të gjitha pikët e të gjithë aplikantëve gjatë tërë procesit.
Nëse Kryetari Begaj vazhdon të heshtë dhe të mos ndërmarrë veprime konkrete, atëherë kjo është shenjë e qartë se ai është i përfshirë edhe personalisht në tërë këtë proces të degradimit të arsimit në Malishevë.