05 Maj 2024

Makolli i shkruan Feithit për maltretimin e mërgimtarëve në kufi me Serbinë

Prishtinë, 30 korrik - Neglizhenca e autoriteteve kufitare serbe ka bërë që gjatë 24 orëve të fundit të krijohen kolona të gjata me kilometra të bashkatdhetarëve tanë në pikëkalimin kufitar Merdar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Për këtë çështje autoritetet kosovare i kanë njoftuar ato ndërkombëtare.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në një prononcim për “Epokën e re”, ka thënë se për vonesat e qëllimshme që autoritetet kufitare serbe po ua shkaktojnë bashkatdhetarëve i ka shkruar edhe Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO).

Nëpërmjet një komunikate për medie, Policia e Kosovës të dielën ka bërë me dije se zyrtarët policorë të pikëkalimit kufitar në Merdar kanë informuar se gjatë 24 orëve të fundit janë krijuar kolona dhe pritje të gjata si në hyrje për në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në dalje për në Serbi.

“Pritjet janë duke u bërë me orë të tëra nga të dyja anët, edhe pse nga Kosova për në Serbi në territorin tonë kolonat janë të gjata nga 500-700 metra, mirëpo pritjet janë me orë të tëra, ndërsa në hyrje, sipas qytetarëve, kolonat janë me kilometra të gjata”, është thënë në komunikatën e policisë. Sipas policisë, këto kolona të gjata janë bërë nga neglizhenca dhe mospuna e autoriteteve kufitare serbe. “Në bazë të informacioneve jozyrtare të pranuara nga qytetarët, e gjithë kjo pritje bëhet nga neglizhenca dhe mospuna e autoriteteve serbe”, është thënë në këtë komunikatë.

Policia e Kosovës u ka sugjeruar të gjithë qytetarëve t’i shfrytëzojnë pikëkalimet e tjera kufitare me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata në kolona të krijuara në këtë pikëkalim kufitar. Në pikëkalimet e tjera kufitare, sipas policisë, qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht, pa pritje të gjata.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka vlerësuar se Serbia edhe në këtë aspekt nuk po distancohet nga e kaluara e saj, por po vazhdon t’u shkaktojë probleme shqiptarëve.

Ai ka thënë se për të gjitha këto çështje e ka njoftuar Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

“Për këto çështje i kemi shkruar edhe përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Kosovë, por edhe për ndalimet, arrestimet e mërgimtarëve tanë që po kalojnë nëpër territorin e Serbisë sikurse ishte rasti i fundit”, është shprehur Makolli. Sipas tij, qytetarët e Kosovës nga autoritetet serbe po maltretohen duke u ndaluar pa ndonjë arsye. “Kemi theksuar edhe më herët se Serbia po i bën obstruksione Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilët për arsye të ndryshme i maltretojnë gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë, e cila edhe më tutje nuk po largohet nga e kaluara”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar nga mërgimtarët të jenë të kujdesshëm dhe të mendojnë mirë para se të marrin rrugë nëpër Serbi. “Edhe më herët kemi komunikuar drejtpërdrejt dhe kemi reaguar tek autoritetet për raste të tilla, në mënyrë që të mos përsëriten rastet e tilla nga ana e Serbisë sikurse i kemi ftuar qytetarët tanë të jenë të kujdesshëm para se të vendosin të kalojnë nëpër territorin e Serbisë, duke pasur parasysh maltretimet që ata po u shkaktojnë edhe në pritje, po edhe në ndalesa të ndryshme”, ka thënë Makolli.
Jo më larg se të shtunën, në vendkalimin kufitar në Suboticë të Serbisë është ndalur e më pas edhe arrestuar nga policia serbe Nehat (Neshat) Haliti (1980) nga Prizreni. Ai po udhëtonte nga Austria për pushime në Kosovë.

Në të dy anët e kufirit nuk ka shumë vonesa, thonë zyrtarët, por edhe kalimtarët. Burime të radio Kosovës thonë se EULEX-i ka intervenuar mbrëmë vonë në anën e Serbisë, në mënyrë që të mos bllokohen njerëzit në kolona të gjata
 
Në vendkalimin kufitar Kosovë –Serbi, në Merdarë nga mëngjesi i sotëm është normalizuar kalimi i njerëzve dhe mallrave.

Sot e kishin më të lehtë kalimin edhe bashkatdhetarë tanë që tashmë po kthehen në shtetet nga ata kanë ardhur për pushime në Kosovë.

Kolona të gjata të njerëzve ishin krijuar dje në këtë pikë kufitare për shkak të neglizhencës së autoriteteve serbe.

Kurse sot në pikën e kontrollit në territorin e Kosovës pritjet janë deri në 5 minuta, ndërsa në anën serbe për të kaluar piken e kontrollit, pritjet janë më të gjata, diku rreth 20 minuta, kanë deklaruar disa nga të intervistuarit në vendkalimin kufitar në Merdarë.

Edhe Policia e Kosovës konfirmoi ndërkohë që qarkullimi në Merdarë sot është normalizuar. Zëdhënësi Baki Kelani tha se janë evituar pritjet e gjata të ditës së djeshme.

Sipas burimeve të Radio Kosovës gjatë natës së shkuar është dashur që autoritet e EULEX-it të bëjnë trysni të madhe te zyrtarët e Serbisë që gjendja të përmirësohet në vendkalimin kufitar Kosovë- Serbi ne Merdarë.

Pritjet e njerëzve në kufi gjatë ditës së djeshme kanë zgjatur deri 15 orë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)