20 Janar 2025

Makolli: Do ta rikthejmë forcën e 2007-s

Prishtinë, 24 maj –  Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, është shprehur i bindur se ky subjekt politik në zgjedhjet e 8 qershorit së paku do ta rikthejë fuqinë politike që ka pasur në zgjedhjet e vitit 2007.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Makolli ka deklaruar se do të pretendohet edhe më shumë, duke shtuar se zyrtarët e AKR-së janë të vetëdijshëm se ky subjekt politik ka një përkrahje më të madhe tek qytetarët e Kosovës.

“Së paku në ato përmasa të 2007-s. Presim që së paku të jetë ajo fuqi politike e AKR-së. Jemi të vetëdijshëm se fuqia politike e AKR-së te qytetarët e Kosovës është shumë më e madhe sesa kemi arritur ta marrim. Kjo ndoshta ka ndodhur për shkak të dobësive që kemi pasur ne, por besoj se zgjedhjet e 8 qershorit do ta rikthejnë AKR-në, së paku në pozicionin ku ka qenë në vitin 2007, për të pretenduar edhe më lart”, ka thënë Makolli. Ai ka thënë se pozicionimi i liderit të AKR-së, Behgjet Pacollit, në fund të listës për deputet, është një standard në skenën politike kosovare.

Makolli ka vlerësuar se me këtë veprim lideri i AKR-së ka treguar se në listë për deputet të gjithë janë të barabartë. “Veprimi i z. Pacolli vendos një standard të ri, me të cilin bën me dije se lideri i partisë është një prej të barabartëve dhe nuk qëndron mbi të tjerët, sikurse shpeshherë është kuptuar në skenën partiake të Kosovës”, ka thënë Makolli.

Duke folur për prurjet e reja në këtë parti, ai ka shtuar se ky subjekt politik vazhdimisht ka qenë i hapur dhe do të vazhdojë të jetë i tillë për emra të rinj.

Sipas Makollit, vendosja e shumë prej këtyre emrave në listë për deputetë tregon gatishmërinë e AKR-së për t’i dhënë hapësirë secilit që dëshiron ta dëshmojë veten në politikë.

“Jam shumë i bindur se qytetari i Kosovës ka çfarë të zgjedhë në listën e AKR-së, sepse është përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, të personaliteteve të jetës publike, shkencore, kulturore dhe sportive. Besojmë se qytetarët e Kosovës do ta vlerësojnë edhe programin, gjithashtu edhe bartësit e frymës së këtij programi”, ka deklaruar Makolli.

Ai i ka hedhur poshtë pretendimet e disa analistëve se AKR-ja nuk mund të arrijë për ta kaluar pragun zgjedhor.

“Këto deklarime nuk janë të sotshme. Kam respekt për gjithë analistët, por praktika në Kosovë ka treguar se jo gjithherë ata ia kanë qëlluar. Edhe në zgjedhjet lokale ka pasur analistë të ndryshëm, të cilët kanë deklaruar se AKR-ja nuk do të mund të qeverisë në asnjë komunë në Kosovë. Kurse sot realiteti flet ndryshe: AKR-ja qeveris në dy komuna”, është shprehur Makolli.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)