28 Prill 2024

Makolli: 1/3 e qytetarëve tanë jetojnë jashtë vendit

Prishtinë, 24 dhjetor - Ministri i Ministrisë së Diasporës, e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, në konferencën e fundvitit me gazetarë prezantoi përmbledhjen e aktiviteteve dhe punës së bërë në shtatë muajt e parë të Ministrisë së Diasporës. 


Makolli me këtë rast theksoi se, që nga muaji maj kur qeveria e Kosovës vendosi të themeloi Ministrinë e Diasporës, janë realizuar planet e MeD për vitin 2011, pavarësish kohës së shkurtër të funksionimit të ministrisë dhe sfidave me të cilat ballafaqohet çdo institucion i ri.

“Vlerësojmë se  për këta pak muaj, kemi arritur progres në shumë fusha dhe ç’është më e rëndësishmja, kemi identifikuar prioritetet në të cilat Ministria e Diasporës duhet të përqendrohet në të ardhmen. Padyshim, në këtë drejtim do të na ndihmojë shumë edhe krijimi i infrastrukturës ligjore.”

“Kësisoj MeD-i në disa muaj të fundit ka qenë bartës kryesor i grupeve punuese për hartimin e draft ligjit për Diasporë i cili dhe pritet që shumë shpejt të miratohet në qeverinë e Kosovës”, tha ministri Makolli.

Këtu sipas tij duhet theksuar se, Ministria e Diasporës ka mbajtur disa dëgjime publike në disa vende në perëndim, me qëllim të përfshirjes së drejtpërdrejt të mërgimtarëve në hartimin e politikave që ministria i ka për synim për diasporë.

Ai, gjithashtu, përmendi edhe faktin se 1/3 e qytetarëve tanë jetojnë jashtë vendit, dhe para tyre, siç tha ministri Makolli, kemi shumë obligime dhe përgjegjësi. Ndërsa veçoi disa prej aktiviteteve dhe të arriturave të MeD për vitin 2011.

Mësimi plotësues në gjuhën amtare në diasporë mbetet prioritetet kryesore i Ministrisë së Diasporës dhe për vitin e ardhshëm, duke e konsideruar si element kryesor të ruajtjes së identitetit. 

“Në këtë moment nuk jemi të kënaqur me numrin e atyre që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare, por gjatë këtij viti kemi pasur disa aktivitetet që çojnë në përmirësimin e gjendjes. Disa shtete janë treguar shumë të gatshme për bashkëpunim, me disa të tjera ka mbetur nënshkrimi i marrëveshjeve për thellimin e bashkëpunimit, ndërsa ka vende që tashmë mësimi plotësues është në një nivel të kënaqshëm, siç është Suedia ku gjuha amtare  është lëndë obliguese për fëmijët tanë”, potencoi ministri Makolli.

Në këtë konferencë, Ministri i MeD, Ibrahim Makolli, theksoi se ndër prioritetet kryesore të kësaj ministrie është edhe hapja e Qendrave Kulturore të Kosovës në diasporë.

“Gjatë këtyre muajve të funksionimit të MeD-it, kemi identifikuar vendet ku besojmë se hapja e Qendrave Kulturore të Kosovës është i mundshëm në një të ardhme të afërt. Objektiv yni për vitin 2012 është hapja e tri qendrave të para: në Turqi, Zvicër, SHBA (Nju Jork), të cilat do të shërbejnë për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive, do të identifikojnë potencialin real të mërgimtarëve tanë.

Orientimi i kapitalit ekonomik sipas ministrit Makolli mbeten një prej prioriteve kryesore të MeD.

“Në Kosovë sipas disa dhënave të Bankës Qendrore brenda vitit nga mërgimtarët tanë hyjnë para të gatshme, ose remitanca, rreth 700 milionë euro. Kjo është një shumë e konsiderueshme e parave dhe kryesisht shpenzohet për nevoja ditore."


"Jemi duke bërë analiza se si mund të orientohej kapitali i mërgimtarëve tanë në mënyrë që ato të përdoreshin për investime ku në të ardhmen në vend se të vazhdohet të dërgohen para kesh për shpenzime familjare, ato të krijojnë vende të punës që do të ndikonte në rritjen ekonomike. MeD ka mbajtur edhe gjatë këtij viti tryeza dhe takime të shumta me biznesmen shqiptarë që jetojnë në diasporë për të parë mundësitë e investimit të tyre në atdhe. Jemi të kënaqur me interesimin e tyre për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, u shpreh ai.

Në këtë konferencë, ministri Makolli, theksoi se ministria të cilën ai e drejton gjatë këtij viti ka pasur edhe angazhime që kanë të bëjnë me identifikimin e formës së regjistrimit të diasporës. “Regjistrimi i njerëzve tanë që jetojnë jashtë vendit nuk është i lehtë duke pas parasysh rregullat e shteteve ku jeton mërgata jonë. Kemi pasur disa takime me organizata ndërkombëtare për të parë se si do të mund të zhvillohet një regjistrim i mërgimtarëve tanë duke i respektuar edhe ligjet dhe rregullat e vendeve ku jeton mërgata jonë”, tha ai.

Ministri i MeD, Ibrahim Makolli gjatë kësaj konference prezantoi edhe aktivitetet e ndryshme kulturore të cilat i ka realizuar ministria të cilën ai e udhëheq.

“Në Muzeun Kombëtar në Tiranë është mbajtur me sukses Ekspozita “Amerika për Kosovës”.  Ekspozita “Amerika për Kosovën” nëpërmjet fotove origjinale ka paraqitur gjithë retrospektivën historike të përpjekjeve për pavarësi të popullit të Kosovës dhe angazhimin e liderëve amerikanë në këtë proces jetik".

Gjatë muajit korrik dhe gusht ministria e diaspores ka organizuar Ditët e Mërgatës në Kosovë, ku ka zhvilluar veprimtari të ndryshme si promovimi i librave të ndryshme të krijuesve mërgimtarë, kuizi i diturisë, ekskursioni i fëmijëve mërgimtarë nëpër Kosovë, takime dhe pritje e përcjellje të mërgimtarëve, janë ekspozuar prodhime vendore.

Karakteristikë e Ditëve të Mërgatës sipas ministrit Makolli ka qenë edhe pjesëmarrja e grupeve dhe individëve nga diaspora jonë në Ukrainë, arbëreshët e Italisë nga Turqia dhe vende të tjera.

Më tutje ai shoi “Gjithashtu, një aktivitet tjetër gjatë vitit që po e lëmë pas ka qenë edhe “Ditët e Kulturës së Kosovës në Diasporë” që janë mbajtur nga 9 deri 14 dhjetor 2011, në Belgjikë dhe Zvicër. Gjatë këtyre ditëve janë shfaqur shfaqje teatrale, filma dokumentarë, ekspozita, janë organizuar mbrëmje letrare me poetët tanë që jetojnë në Zvicër, koncerte të AKKV SHOTA, etj. Interesimi i publikut mërgimtarë ka qenë i madh dhe ky projekt  i MeD ka dëshmuar se mërgata jonë ka nevojë të madhe për paraqitjen e vlerave artistike nga profesionistët që organizohen dhe shfaqin programet e tyre në diasporë.

Një ndër sfidat, të cilat me sukses i ka përballur MeD ka qenë edhe zgjerimi i administratës, potencoi ministri Makolli. 

“Sot në kuadër të MeD veprojnë Departamentin për Politika të Diasporës, Dep. për Hulumtime, Analiza, Përkrahje të Investimeve, Dep. për çështje Ligjore, Dep. e Buxhetit dhe Financave, Dep. e Prokurimit, Zyrën për Komunikim Publik, Dep. e Shërbimeve të Administratës dhe në vitin që po hyjmë pritet të kompletohet i tërë stafi i kësaj ministrie. 

Në fund të këtij takimi, ministri Makolli përmendi edhe memorandumin e bashkëpunimit të cilin kjo ministri e ka nënshkruar me Universitetin e Prishtinës dhe potencoi se me kapacitetet njerëzore dhe teknike që ka pasur në dispozicion, MeD, është munduar që të jetë sa më afër mërgimtarëve tanë, duke hapur dyert e ministrisë për ta, duke zhvilluar takime të drejtpërdrejta, duke biseduar për çështje të ndryshme që ata i preokupojnë.

“Kemi monitoruar pikëkalimet kufitare për të parë nga afër procedurat e hyrje daljes së mërgimtarëve tanë. Sivjet është vërejtur një përmirësimi i dukshëm në këtë drejtim. Gjatë këtij viti është vërejtur përmirësim edhe në aspektin e nxjerrjes së dokumenteve personale, dhe këtu kanë ndihmuar edhe konsullatat e Republikës së Kosovës të cilat në përgjithësi po kryejnë një punë të madhe në këtë drejtim”, tha në përbyllje të kësaj konference Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)