Majko i kërkon kryeministrit Thaçi të marrë shtetësinë e Kosovës
Prishtinë, 3 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko.
Kryeministrit Thaçi ka deklaruar se me Majkon kanë diskutuar zhvillimet e fundit edhe në Kosovë, edhe në rajon, për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, në një relacion të integrimeve kombëtare, por edhe të standardeve dhe vlerave evropiane.
"Ish-kryeministrin Majkon e informova edhe për marrëveshjen e arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe popujve si një marrëveshje që Kosova fiton, por gjithashtu reflekton për të mirë edhe për Serbinë edhe për të gjithë evropianizimin e rajonit tonë, një marrëveshje, që ka pasur mbështetjen e plotë edhe të shtetit shqiptar, të Qeverisë dhe gjithë politikës shqiptare", ka theksuar Thaçi.
"Në të njëjtën kohë e informova ish-kryeministrin Majko për periudhat kohore të implementimit të kësaj marrëveshje, por edhe për akterët që do të marrin pjesë në implementim, që do të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, NATO, EULEX-i, me një mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe OSBE-ja me ftesën tonë që do të përgatisë organizimin e zgjedhjeve të lira lokale në veri, që do të mbahen në pjesën e dytë të vjeshtës së këtij viti", theksoi me tutje ai.
Ndërsa ish-kryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë të gjithë jemi të interesuar me shumë vëmendje, lidhur me cilësinë e re të cilës rajonit i dha marrëveshja në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, sigurisht nën protektoratin e plotë të Bashkimit Evropian.
"Është një moment jashtëzakonisht sfidues, por pa dyshim që ka një përkrahje të gjerë të të gjithë klasës politike. E them këtë jo vetëm se duhet thënë kështu. Ngandonjëherë ne jemi edhe pjesë apo viktimë e vogël e gjërave që duhet thënë ashtu, dhe pastaj ju gazetarët na pyesni se çdo të thotë me këtë apo atë", ka theksuar Majko.
Në fakt, aktualisht sot që flasim sipas tij marrëveshja midis Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, është një hap cilësor i cili ka pasur reflektim jo vetëm dhe thjesht në marrëdhëniet në mes të dy shteteve respektive, por edhe në të gjithë rajonit ka ofruar një cilësi të re, pasi marrëdhënia midis shqiptarëve dhe serbëve mbetet marrëdhënia më problematike sot në rajon.
Ai ka thënë së ka ardhur Prishtinë për të mbajtur një ligjëratë për politikën dhe nacionalizmin, marrëdhënies midis këtyre dy anëve të medaljes, por që në fakt është një, sidomos në rajonin tonë.
"Sot pata emocionin e veçantë ti ripërsërisë mikut tim, edhe kryeministrit të shtetit të Kosovës, që të më japi nderin dhe kënaqësinë që shpejt do të bëjë procedurat për të marrë shtetësinë e shtetit të Kosovës", ka theksuar Majko.
Sipas tij ka shumë qytetarë të Kosovës që duan të jenë shtetas të Shqipërisë, por mos harroni se ka edhe ca në krahun tjetër si puna ime, që këtë anë e konsiderojnë atdheun e tyre, popullin e tyre.