LVV thërret seancë për Ligjin e Zgjedhjeve dhe zgjedhjen Presidentit
Prishtinë, 2 prill - Shefja e Grupit Parlamentar te Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari - Lila ka konfirmuar seancën për president dhe për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhje.
Kusari-Lila, në një konferencë për media ka thënë se së pari është thirrur seanca e jashtëzakonshme për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhje, e nëse ka vullnet të deputetëve për të qëndruar në sallë atëherë do të caktohet edhe ajo për presidentin.
“Kryesia e Kuvendit do të trajtojë amandamentin për Ligjin për Zgjedhjet në mbledhjen e radhës. Ne kemi kërkuar që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot, me pikën e vetme për amanadmentin për Ligjin për Zgjedhje."
"Nga procesi I fundit zgjedhor kemi parë një mobilizim të madh të mërgatës por ai vullnet nuk është përkthyer në futjen e rezultatit përfundimtar zgjedhor. Ne kemi dhënë premtimin kryesor që Ligji i Zgjedhjeve do të ketë prioritet që do të prek këtë pjesë."
"Kandidatja e parë për presidente është Vjosa Osmani dhe kandidati i dytë është Nasuf Bejta dy kërkesat janë protokoluar pranë sekretarisë së Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo tha se nëse ka vullnet të deputetëve që sot të jenë në sallë pas seancës së jashtëzakonshme që do të mbahet për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhjet atëherë do të caktohet edhe sanca e jashtëzakonshme për presidentin.
“Nëse kjo përfundon brenda pak orëve, ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën e radhës për votimin e presidentit të Kosovës”, tha ajo.