LVV kërkon interpelancë mbi heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë
Prishtinë, 9 qershor - Sot, Lëvizja Vetëvendosje! (LVV) ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë mbi heqjen e masave të reciprocitetit të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë.
LVV konsideron se reciprociteti është parim ndërkombëtar që bazohet në barazinë midis shteteve. Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çdo formë tjetër ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jetë ndryshe përpos se reciproke.
"Barazia është parakusht, kurse reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë."
"Është obligim shtetëror e kushtetues, përveçse në interes të shtetit që qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët të trajtohen barabarësisht e pa paragjykime", thekson LVV-së.
Heqja e masave të reciprocitetit sipas LVV-së është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës.