Lunaçek, optimiste për liberalizimin e vizave
Prishtinë, 7 dhjetor - Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, ka shprehur optimizmin se qytetarët e Kosovës në një periudhë të afërt do të gëzojnë lirinë e lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian.
Ajo gjatë një takimi në Bruksel me kryeministrin, Hashim Thaçi ka vlerësuar lart përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane, si dhe rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme nga ana e anëtarëve të Parlamentit Evropian për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit.
Në këtë takim është diskutuar për proceset e rëndësishme, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e integrimit evropian, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri Thaçi ka ripërsëritur rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ka konfirmuar që Kosova ka qenë dhe do të mbetet faktor konstruktiv, duke respektuar vlerën e dialogut dhe bashkëpunimit.
Ai ka falënderuar Lunaçek për kontributin e saj dhe të anëtarëve të Parlamentit Evropian lidhur me mbrojtjen e interesave të Kosovës në Bruksel dhe e siguroi atë se Kosova ka bërë dhe është e përkushtuar të bëjë përparim të dukshëm në rrugën e integrimit.
Thaçi theksoi se bazuar në përkushtimin institucional të Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit nisja e procesit të dialogut të liberalizimit të vizave me të drejtë pritet që të fillojë në ditët e ardhshme.
Në këtë kuadër, Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.