17 Janar 2025

Lulzim Peci jep dorëheqje

Prishtinë, 19 qershor - Zyra e presidentes Atifete Jahajga ka konfirmuar se zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Serbi, Lulzim Peci, ka dhënë dorëheqje nga posti. 

Në këtë letër, Peci ka thënë se jep dorëheqje të parevokueshme dhe se arsye është “mospajtimi dhe kritika” që i është bërë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me deklaratën e tij se ”normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e Kosovës”.

“Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tonë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por, si duket, kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla, nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e dorëheqjes të zotit Peci.

Dorëheqja vjen vetëm dy ditë pasi Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer zyrtarët për ndërlidhje.

Nderkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka theksuar se dorëheqja është akt personal i secilit individ, edhe i ish- ambasadorit Peci.

Ai është emëruar zyrtar ndërlidhës në Beograd si përfaqësues i Republikës së Kosovës me propozim të MPJ-së dhe kryeministrit Thaçi.

Prandaj sipas MPJ është pritur që ai të kryejë detyrën që kërkohet me profesionalizëm, moral të lartë, përgjegjësi, dinjitet shtetëror dhe nacional, prezantim të plotë të qëndrimeve shtetërore dhe në rastin konkret guxim qytetar, që në momente të caktuara i kanë munguar.

\"I kemi kuptuar lëshimet e tij për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë\", thekson MPJ.

MPJ me tutje thekson se qëndrimi i tij njëditor dhe kthimi i menjëhershëm në Prishtinë, adresimi në konferencë për medie në gjuhën e vendit ku ka shkuar dhe jo vendit që përfaqëson, takimet e paautorizuara me përfaqësues të shtetit të Serbisë dhe pretendimi i tij për qëndrime politike personale kanë tejkaluar kompetencat, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion publik, nuk kanë paraqitur përfaqësuesin e denjë të Republikës së Kosovës.

\"Peci ka qenë i propozuar për shkarkim dhe këtë ai e ka pasur të qartë, andaj edhe dorëheqja është hap i paraprirë prej tij\", thekson MPJ.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)