Luksemburgu do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën
Prishtinë, 2 gusht - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka pritur sot Shefin e Misionit Diplomatik të Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber me të cilin ka diskutuar zhvillimet aktuale në vend, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Me këtë rast, Ministri Ismajli ka falënderuar diplomatin e Luksemburgut për ndihmën e madhe që ky shtet i ka dhënë Republikës së Kosovës që nga vitet 99 dhe vazhdon ti japë në zhvillimin sektorëve kyç për rritjen e kualitetit të shërbimeve për qytetarët e vendit.
Kreu i MZHE-së dhe diplomati Weber kanë nënvizuar nevojën e një kujdesi të shtuar në mbrojtjen e produktet vendore duke pasur parasysh që ka një mori të produkteve që prodhohen në vend, sidomos në projekte që financohen nga institucione ndërkombëtare.
Ministri Ismajli ka theksuar se duke qenë se Luksemburgu gëzon përvoja frytdhënëse në fusha të ndryshme, është mjaft e rëndësishme të shkëmbehen përvojat profesionale dhe njohuritë në fusha relevante për Kosovën si dhe të ndërtohen bashkërisht kapacitetet ekzistuese të burimeve njerëzore, me çrast këto përvoja do te ndihmonin në bashkëpunim të mëtejmë.
Gjithashtu, gjatë takimit janë prezantuar projektet që financohen nga Luksemburgu në fushën e aftësimit profesional, shëndetësisë, ujësjellësit si dhe mundësitë për investime në këta sektorë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, Shefi i Misionit Diplomatik të Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën me dëshirën që ky bashkëpunim të avancohet edhe më tutje në të ardhmen.
Vlen të theksohet se i tërë takimi u zhvilluar në gjuhën shqipe pasi diplomati Weber është njohës i mirë i gjuhës shqipe.