Lugina e Preshevës proteston sot kundër heqjes së lapidarit
Preshevë, 21 janar - Partitë politike të Luginës së Preshevës kanë mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Preshevës, dhe pasi kanë shqyrtuar situatën e re, pas heqjes nga policia serbe të lapidarit të dëshmorëve shqiptarë, kanë thirrur një protestë paqësore gjithë popullore për sot, pikërisht pranë vendit ku ishte lapidari i UÇPMB-së.
Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës, në një konferencë të përbashkët me gazetarë, kanë bërë thirrje për qetësi dhe për ruajtjen e gjakftohtësisë nga popullata shqiptare e këtij rajoni, pavarësisht provokimeve.
Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në një konferencë për gazetarë, ka kërkuar që liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihen në bisedimet Kosovë - Serbi, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai ka kërkuar që faktori ndërkombëtar të përfshihet në qetësimin e gjendjes në këtë pjesë dhe njëherësh ka ftuar qytetarët që të hënën të dalin në protesta gjithë popullore.
Mustafa tha se qytetarët e Luginës janë në pritje të qëndrimit dhe mbështetjes së Prishtinës, Tiranës dhe faktorit ndërkombëtar për situatën e krijuar atje.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa asnjë dyshim, edhe më tutje do të jenë gjakftohtë dhe me forma paqedashëse dhe me forma absolutisht demokratike do të veprojnë dhe në këtë drejtim, parimisht e kemi fituar edhe mbështetjen e parezervë të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë Mustafa.