Lugina e Preshevës kërkon bashkim kombëtar me Kosovën
Preshevë, 20 gusht - Përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kërkojnë që në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, të zgjidhet përfundimisht çështja e tyre dhe tre komunat shqiptare të mbetura në Serbi t`i bashkohen Kosovës.
Këtë synim ata mendojnë ta arrijnë duke u bërë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë të planifikuara të fillojnë në vjeshtë.
Kryetari i Kuvendit të Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, vlerëson se pjesëmarrja e përfaqësuesve të kësaj zone do ta ndihmonte delegacionin kosovar.
Përfaqësuesit e popullit në këtë pjesë duhet të jenë pjesë në bisedime dhe ne kërkojmë që të jemi pjesë e delegacionit të Kosovës. Dhe natyrisht se ne do të ishim krah i fortë i zgjidhjes së problemit politik të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, ka deklaruar për Kohën Ditore, kryetari Musliu.
Kërkesën e Musliut për të qenë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet Prishtinë-Beograd, e përkrah edhe kryetari i shoqatës Vatra, nga Lugina, Sejdulla Kadriu.