02 Maj 2024

Lufta kundër abuzimit t'autoritetit publik, mungon bashkëpunimi

Prishtinë, 19 janar - Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin me temë “Fuqizimi i dialogut ndërinstitucional në luftën kundër abuzimit me autoritetin publik”.

Debati u organizua me qëllim të diskutimit të gjerë për punën e Institucionit të Avokatit të Popullit(IAP), koordinimin ndërinstitucional, bashkëpunimin dhe mbështetjen që ka ky institucion nga vështrimi që i ka bërë Lëvizja FOL gjatë vitit 2010 duke monitoruar punën e këtij institucioni dhe duke organizuar takime dhe debate nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Armend Pajaziti, koordinator i projektit theksoi raportet e institucioneve të pavarura shpeshherë bëjnë vetëm bujën mediale për disa ditë, ku ato mbesin vetëm raporte dhe nuk iniciohen masa për të përmirësuar gjendjen.

“Një shembull i tillë është edhe raporti i Avokatit të Popullit si një institucion i cili vitin e kaluar ka prezantuar raportin e tij vjetor në Kuvendin e Kosovës që ka kaluar pa ndonjë debat të mirëfilltë. Në të njëjtën ditë ky raport është prezantuar edhe në tryezën e organizuar nga Lëvizja FOL, ku diskutimi ka qenë shumë më i thellë dhe më përmbajtjesor se në Kuvendin i Kosovës”.

Sipas Pajazitit, këtë e dëshmon edhe fakti se asnjë rekomandim i prezantuar nga raporti i IAP-it nuk është inkorporuar në strategjinë e punës së Kuvendit të Kosovës. Pajaziti tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë nismë që të gjeturat nga raporti të diskutohen dhe të kërkohet nga institucionet të marrin masa apo që edhe vet Kuvendi të marrë masat që janë në përgjegjësi të tij.

Ardian Ajvazi, nga Komisioni për Ndihmë Juridike theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional si mënyrën më të mirë për të pasur rezultate të suksesshme. “Vetëm tani kemi hartuar një memorandum bashkëpunimi me Institucionin e Avokatit të Popullit për format e bashkëpunimit”, tha Ajvazi.

Sipas tij, mungesë bashkëpunimi ka edhe me institucione të tjera siç është Këshilli Gjyqësor i cili nuk ka lejuar që Komisioni për Ndihmë Juridike të ofrojë asistencë juridike edhe për raste penale.

Petrit Zogaj, Menaxher i programeve në Lëvizjen FOL shpjegoi arsyet a realizimit të këtij projekti nga ana e Lëvizjes FOL.

“Duke pas parasysh se Institucioni i Avokatit të Popullit është kategori kushtetuese dhe ka mandatin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër abuzimit me pushtetin, kemi realizuar takime dhe debate nëpër komuna për të diskutuar rolin dhe punën e këtij institucioni, kemi realizuar një fushatë multimediale për të promovuar këtë institucion”, tha Zogaj.

Sipas tij, gjatë punës është vërejtur se në nivelin lokal shumica e iniciativave të këtij institucioni janë shpërfillur.

“Ndërsa në nivelin qendror viti 2010 është dalluar me vetëm një iniciativë serioze të iniciuar nga Shoqëria Civile që ka të bëjë me Ligjin për Privilegjet e Deputetëve e që Avokati i Popullit e ka ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Lëvizja FOL shpreh indinjatën e saj për mospjesëmarrjen e asnjë zyrtari të Institucionit të Avokatit të Popullit në këtë tryezë. Këtë e sheh si mungesë të vullnetit të sinqertë për të bashkëpunuar me Shoqërinë Civile në raport me zhvillimin e debateve për problemet ekzistuese që pengojnë luftën kundër abuzimit me pushtetin.

Ky debat është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Dialogut Trekëndor Kundër Abuzimit të Autoritetit Publik Ndërmjet Avokatit të Popullit, Kuvendit të Kosovës dhe Shoqërisë Civile”, i mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)