Lubrant i ofroi Presidentes Jahjaga mbështetjen e UNDP
Prishtinë, 18 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim zonjën Osnat Lubrani, koordinatore për zhvillim e OKB-së dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë.
Zonja Lubrani fillimisht uroi Presidenten Jahjaga për detyrën e re, duke u shprehur e bindur se ajo do tia dalë ti kryejë me sukses të gjitha obligimet që i dalin përpara.
Në këtë plan, ajo i ofroi Presidentes Jahjaga mbështetjen e plotë të saj dhe të institucioneve që përfaqëson. Ajo u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm me institucionet e vendit dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Presidentja Atifete Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës ka nevojë për ndihmë për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve, si dhe koordinimin e aktiviteteve të donatorëve.
Gjithashtu, theksoi synimin e përhershëm të popullit dhe të institucioneve të vendit tonë për anëtarësim në iniciativat rajonale, në institucionet ndërkombëtare, si dhe që sa më shpejt të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.