Lubran: Reforma e administratës publike është sfidë e Qeverisë
Prishtinë, 13 maj - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës , Hajredin Kuçi ka marrë pjesë sot në takimin e radhës së Bordit të Projektit për mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve (Capacity Development Facility Project), në të cilin është diskutuar vizioni i Qeverisë së Kosovës dhe progresi i arritur në Reformën e Administratës Publike në vitin 2011.
Në takim kanë marrë pjesë ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe përfaqësuesja e UNDP-së, Osnat Lubrani.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi fillimisht ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis Qeverisë dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare që mbështesin zhvillimin e kapaciteteve të administratës në Kosovë, veçanërisht ndihmës dhe përkrahjes në procesin e reformimit të administratës publike.
Reformimi i Administratës publike që ka filluar vite më parë mbetet ndër prioritete kyçe te Qeverisë, theksoi Kuçi duke shtuar se ky proces do të përcillet me plotësimin dhe kompletimin e kornizës ligjore.
Kuçi ka veçuar me këtë rast ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Prokurimit Publik, i cili deri në fund të vitit do të bëhet në formë elektronike.
Ministri Jagxhillar dhe znj. Lubrani kanë vlerësuar progresin e arritur dhe kanë shtruar nevojën e bashkëveprimit të ministrive në drejtim të funksionalizimit dhe modernizimit të administratës publike në Kosovë.
Reforma e administratës publike është sfidë e Qeverisë dhe ne dëshirojmë të shohim rezultate. UNDP dhe partneri ynë KFOS do të mbështes këtë proces, theksoi znj. Osnat Lubrani.
Qe nga themelimi i Projektit të CDF, Qeveria e Kosovës ka përfituar nga ekspertiza vendore dhe rajonale ne fushën e sundimit te ligjit dhe zhvillimit te institucioneve demokratike.