Loja ma shtatorën e Nënë Terezës
Prishtinë, 19 gusht - Bashkësia e degëve të Partisë Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) në Klinë reagon ashpër ndaj një vendimi jashtë - institucional të zhvendosjes së shtatores së Nënës Terezë nga sheshi në Klinë.
Ky shesh, po ashtu, ka emrin e humanistes së madhe botërore \"Nëna Tereze\".
Nol Berisha Kryetar i BD-ve të PSHDK-së në Klinë ka thënë se pushteti aktual komunal ka nisur një lojë të rrezikshme në prag të zgjedhjeve lokale, qoftë edhe me anë të lojës me përmendore e sheshe.
Diheshin kërcënimet e para një dekade të individëve ekstremë se nuk qenka i lejueshëm ndërtimi i kësaj shtatoreje, që e përuroi presidenti historik Ibrahim Rugova dhe e financoi veprimtari nga diaspora, Elmi Berisha, si donator, i cili fare as që është konsultuar për këtë zhvendosje.
Vendimi për emërtimin e sheshit e të vendosjes së shtatores, ka qenë vendim i institucioneve të komunës së Klinës deri në nivel presidence. Nuk u janë dhënë sqarime qytetarëve se përse bëhet kjo zhvendosje.
Se është një gjunjëzim, flet edhe fakti pikërisht i këtyre ditëve me pengimin e ngritjes së kësaj shtatoreje në Kastriot (Obiliq).
\"Prandaj, ne e konsiderojmë këtë akt jashtinstitucional komunal si gjunjëzim përpara ekstremistëve radikalë që po shprehen në unison e egërsisht kundër kombit shqiptar e figurave të shquara të kombit tonë dhe po përpiqen që ta rrënojnë tolerancën shqiptare ndërfetare\", ka theksuar Berisha.
Ai ka theksuar se nëse mendohet që një prift paska bërë kërkesë për zhvendosje, le të dihet: ajo nuk është kërkesë e qytetarëve dhe asnjë institucion fetar nuk ka monopol mbi interesin e kërkesat e qytetarëve.
\"Dhe i lusim institucionet fetare, si përfaqësuesit e kishave katolike të komunës së Klinës, ashtu edhe krerët e xhamive të komunës së Klinës, që të mos përzihen në lojën e partive politike për sa i përket zgjedhjeve dhe votimeve, sepse këto ndërhyrje shkaktojnë konflikte, për të cilat nuk angazhohen institucionet fetare.\"
Sigurisht që ato bashkëpunojnë me institucionet për të mirën e qytetarëve, por jo në dëm të tyre e pa i pyetur fare qytetarët.
Së këndejmi, këtë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zhvendosjen e shtatores, e konsiderojmë si veprim anti-qytetërues e antinjerëzor, që nxit konflikte, që përdhos tolerancën qytetare dhe si veprim anti-urbanistik e anti-institucional.
Nuk ka pasur ankesa nga qytetarët, se përmendorja e Nënës Tereze e pengon trafikun apo se e prish planin urbanistik. Kjo fushatë e re kundër Nënës Tereze, po shprehet edhe gjatë këtyre ditëve në Kastriot (Obiliq), ku ekstremistët fetarë nuk duan ndërtimin e shtatores së Nënës Tereze dhe e konsiderojmë si veprimtari të koordinuar të sulmeve kundër saj...
PSHDK lut institucionet komunale dhe kreun e Kishës katolike \"Zoja e Këshillit të Mirë\" në Klinë që të mos luajnë me shtatoret, të mos luajnë me ndjesitë e qytetarëve, me tolerancën qytetare dhe me vendimet institucionale komunale e shtetërore.