Lobo Sosa: E drejta për pavarësi është e pacenueshme
Prishtinë, 3 shtator - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa.
Me këtë rast, pasi i uroi mirëseardhje, kryekuvendari Krasniqi shprehu falënderimet e tij për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit të Hondurasit.
Pavarësia e Kosovës, tha në vijim Krasniqi, ka sjellë stabilitet në Rajon. Kosova tashmë ka marrëdhënie shumë të mira me shtetet fqinje , pos me Serbinë.
Aktualisht Kosova po zhvillon bisedime teknike me Serbinë, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Bisedimet zhvillohen në mes dy shteteve të barabarta, që nënkupton mos përzierjen në punët e brendshme.
Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zhvillimit dhe perspektivës së Kosovës.
Ai tha se Kosova tashmë ka krijuar një infrastrukturë ligjore, si bazë e zhvillimit të gjithmbarshëm, duke siguruar njëkohësisht kushte edhe për investime të huaja.
Krasniqi e njoftoi presidentin e Hondurasit edhe për strukturën e Kuvendit të Kosovës, si dhe për pjesëmarrjen e komuniteteve në parlament. Kemi dëshirë që edhe me Kuvendin e Hondurasit të kemi marrëdhënie sa më të mira, sepse kemi nevojë për përvojat parlamentare nga ky shtet mik, theksoi kryekuvendari Krasniqi.
Duke u falënderuar për këtë pritje presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa theksoi se Hondurasi ka pranuar pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Kosovën si shtet të pavarur e sovran, shtet që respekton të gjitha të drejtat e njeriut.
Kjo e drejtë legjitime, tha presidenti Porfirio Lobo Sosa, do të afirmohet, atë askush nuk mund t ua marrë. Presidenti i Hondurasit premtoi angazhimin e tij që çështjen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj ta diskutojë edhe me shtetet tjera të Amerikës Qendrore, duke shprehur optimizmin se edhe shumë shtete të tjera të këtij kontinenti do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Ai në vazhdim tha se edhe shteti i Serbisë do ta kuptojë se drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, ashtu sikurse edhe shteteve të tjera. E drejta për pavarësi është e pacenueshme.
Ne jemi në distancë, por kemi të njëjtat ideale, theksoi presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa. Përkitazi me këtë, krye kuvendari Krasniqi tha:Jemi larg gjeografikisht, por zhvillimi teknologjik ka krijuar mundësi të jemi afër, duke u zotuar për kontakte sa më të shpeshta ndërmjet dy parlamenteve e shteteve.