Lobi i Grave mbetet i përkushtuar për fuqizimin e grave
Prishtinë, 20 mars - Ministrja për dialogun Edita Tahiri, zhvilloi një takim me Drejtoreshën e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore Ingibjorg Solrun Gisladottir dhe Flora Macula, udhëheqëse e UNWomen në Kosovë, në të cilin u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimet e përbashkëta për fuqizimin e rolit të grave në proceset e bashkëpunimeve rajonale.
Ministrja Tahiri, e cila njëkohësisht është edhe Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, foli për progresin dhe sfidat e procesit të fuqizimit të grave, duke thënë Kosova ka bërë përparime në këtë drejtim porse duhen angazhime të shtuara për avancimin e pozitës së grave sidomos në vendimmarrje.
Lobi Rajonal i Grave mbetet i përkushtuar për fuqizimin e grave në vendimmarrje dhe proceseve paqësore në mbarë rajonin, sepse fuqizimi i grave është një investim strategjik për proceset zhvillimore dhe integrimet euro-atlantike për të gjitha vendet e rajonit, ka theksuar ministrja Tahiri. Ajo falënderoi UNWomen për mbështetjen e vazhdueshme të agjendës së grave dhe vlerësoi lartë partneritetin strategjik mes UNWomen dhe Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE).
Drejtoresha e UN Women znj. Gisladottir vlerësoi lartë punën e Lobit Rajonal të Grave dhe kontributin e madh që po e jep në avancimin e pozitës së grave në vendet e rajonit, si dhe për promovimin e bashkëpunimit rajonal në mesin e grave politikane dhe shoqërisë civile për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ajo premtoi vazhdimin e mbështetjes për agjendën e Lobit Rajonal të Grave.