Listat zgjedhore: Demokracia e vërtetë buron nga brenda!
Prishtinë, 15 maj - Përzgjedhja e kandidatëve për deputet është një ndër proceset më të rëndësishëm brenda një partie politike që përcakton qartë profilin e saj si gjatë periudhës zgjedhore ashtu dhe pas marrjes së pushtetit.
Mënyra e përzgjedhjes së tyre tregon nivelin e demokracisë së brendshme të një partie.
Përpilimi i listës së kandidatëve për deputet nuk duhet të jetë eksluzivitet i liderit të partisë, por pjesë e një procesi të hapur me pjesëmarrjen e mekanizmave statutor.
Ky është indikator se a ka diktat të liderit brenda partisë, dhe a funksionojnë strukturat partiake në momentin më të rëndësishëm të vendimmarrjes, siç janë listat zgjedhore, gjë që reflekton në vet integritetin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e 8 Qershorit 2014.
Për të promovuar demokracinë e brendshme partiake, Grupi për Studime Juridike dhe Politike i bën thirrje partive politike në vend që të zbatojnë standardet demokratike në përzgjedhjen e kandidatëve dhe hartimin përfundimtar të listave, duke respektuar statutet e tyre, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së.
Çdo parti politike në Kosovë e ka të përcaktuar qartë mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në statutin e saj, andaj përpilimi i listës duhet të ndjek ato rregulla të vendosura nga vetë partitë.
Bazuar në statutet e partive kryesore në vend mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve duhet të bëhet si vijon, në të kundërtën partitë shkelin vet statutet e tyre dhe parimin e demokracisë së brendshme:
PDK: Kryesia e partisë së bashku me Kryetarin propozojnë listën e kandidatëve të PDK-së për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila duhet të miratohet nga Këshilli Drejtues.
LDK: Këshilli i Përgjithshëm, në bazë të listës iniciale të degëve, pas propozimit të Kryesisë, përcakton listën përfundimtare të kandidatëve të LDK-së për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
VV: Këshilli i Përgjithshëm i VV miraton listën përfundimtare të kandidatëve për deputet, ¾ e së cilës zgjidhet nga këshillat e qendrave të VV dhe duhet të jetë e përbërë me anëtarë të anëtarësuar jo më pak se një vit nga momenti i kandidimit dhe ¼ nga kryetari i VV.
Kandidatët për deputet që dalin prej qendrave të VV propozohen nga 1/5 e anëtarëve të Këshillit të një qendre të VV dhe zgjidhen me votim me lista të hapura. Kryetari i VV i propozon kandidatët për deputet (¼) të cilët duhet miratohen me shumicë të thjeshtë votash në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm.
AAK: Këshilli Drejtues i AAK-së miraton listën përfundimtare të kandidateve për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Kryetari, pas shqyrtimit dhe aprovimit të saj nga Kryesia e partisë.
AKR: Këshilli Drejtues i Degës së AKR-së dhe Presidenti i AKR-së propozojnë një listë me emra si kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesia e AKR-së klasifikon dhe përpilon listën perfundimtare e cila aprovohet ose refuzohet nga Presidenti i partisë.
Prandaj, i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë mekanizmat e brendshëm statutor në procesin e hartimit të listave zgjedhore, dhe të mos shndërrohen në parti bajraktarësh. Funksionimi i forumeve partiake në procesin e përcaktimit të listave për deputet mbetet një sfidë që duhet kaluar me përgjegjësi demokratike për të ruajtur besueshmërinë e vet procesit zgjedhor.
Për më tepër, gjatë përpilimit të listave zgjedhore për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, partitë politike duhet të kenë kujdes që të mos përfshijnë në to persona pastërtia publike e të cilëve është e dyshimtë, apo individë që ndalohen nga Neni 29 i ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike do të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të institucioneve përkatëse të administrimit të procesit zgjedhor sa i përket rregullshmërisë së tyre ligjore duke filluar nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre.
Qëllimi i këtij monitorimi është që ti ofrohet publikut një informacion i përditësuar për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm për vendin, dhe ti kërkohet institucioneve gjegjëse përgjegjësi për veprimet e tyre ligjore.