Lista unike mund ta përçajë Bllokun
Prishtinë, 16 tetor - Partitë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, e që janë bërë bashkë pas zgjedhjeve, nuk do ta kenë të lehtë ti hyjnë një procesi të parakohshëm zgjedhor me një listë të përbashkët.
Më të lehtë, pritet ta ketë Partia Demokratike të Kosovës, e cila tashmë ka deklaruar se në zgjedhje të reja do hynte në koalicion me AKR-në, PD-në dhe me minoritetet.
Por nëse Blloku hyn në zgjedhje bazuar në marrëveshjen e arritur për krijimin e institucioneve të reja, atëherë listës do ti printe i nominuari i këtij Blloku për kryeministër, Ramush Haradinaj, i pasuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Lufta për vendin e tretë do të zhvillohej në mes të Fatmir Limajt dhe Vjosa Osmanit. Pjesë e dhjetëshes së parë pritet të jenë edhe Sabri Hamiti, Blerim Shala, Ismet Beqiri, Jakup Krasniqi, Kujtim Shala dhe Avdullah Hoti.
/Tribuna/