Lista Srpska fuqizon Daçiqin
Mitrovicë, 15 nëntor - Lista Srpska e mbështetur nga Beogradi ka nxjerrë jashtë lojës serbët institucionalë që bashkëpunuan me Prishtinën për 14 vjetet e kaluar.
Kjo listë e formuar një muaj para zgjedhjeve, fitoi shumicën e komunave serbe në Kosovë, ndërsa sipas analistëve kosovarë, kërcënon shkëputjen e lidhjeve ndërmjet komunave dhe qendrës (Prishtinë).
Lista Srpska ka dalë e para në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Graçanicë, Ranillug, ndërsa në disa komuna të tjera është radhitur e dyta duke qenë pjesë e balotazhit.
E gjithë kjo u arrit në saje të presioneve të shumta që lidershipi i Beogradit bëri ndaj banorëve serbë të Kosovës. Sipas analistëve, Qeveria e Serbisë, arriti që të eliminojë nga gara partitë lojale ndaj Prishtinës, ndërsa të forcojë pozicionin e saj në Kosovë nëpërmjet njerëzve të dëshmuar për radikalizëm dhe mosdëgjueshmëri.
Megjithatë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës nuk shohin rrezik nga lista Srpska, veçanërisht nëpër komunat e jugut.
Sipas zyrtarëve të qeverisë, kushdo qoftë ai politikan serb që fiton në komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të punojë sipas ligjeve të Kosovës.
Është mirë që një numër i madh i qytetarëve serbë kanë marrë pjesë në votime të organizuara nga institucionet tona dhe sipas ligjeve tona. Ata që fitojnë në mënyrë demokratike do të kenë mundësi të udhëheqin, por në çdo rast sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vlerëson Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Por, sipas analistëve realiteti është krejtësisht ndryshe.
Behxhet Shala thotë se kur kjo listë të vijë në pushtet do të fuqizohet edhe në zgjedhjet e përgjithshme, e kështu një pjesë e qeverisë serbe do të kenë në Kosovë.
/Zëri/