17 Janar 2025

Lista Serbe i drejtohet Gjykates Kushtetues për Ligjin për Trepçën

Prishtinë, 13 tetor - Deputetët e Listës Serbe i janë drejtuar të enjten Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën.

Deputeti Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, e cila ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se me miratimin e këtij ligji janë shkelur mjaft dispozita të Kushtetutës, si dhe Rregullorja e Kuvendit.

Sipas tij, me miratimin e Ligjit për Trepçën, nuk janë respektuar interesat vitale të bashkësisë serbe dhe se ligji nuk është shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Komunitete dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete.

Kjo, sipas Simiqit, paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës, në nenet të cilat kanë të bëjnë me bashkësitë pakicë dhe të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë.

“Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë krejtësisht profesionael dhe e paanshme kur bëhet fjalë për kërkesën tonë, që t’i marrë në konsideratë dhe t’i shqyrtojë të gjitha faktet e ofruara lidhur me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës dhe që ligjin ta shpallë jo Kushtetues dhe ta shfuqizojë”, ka thënë Simiq.

Sipas tij, e rëndësishme është që për shkak të dorëzimit të kërkesës në Gjykatë Kushtetuese, ligji nuk mund të hyjë në fuqi, sepse presidenti i Kosovës nuk mund ta publikojë në gazetën zyrtare.

Në anën tjetër, Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, vlerëson se Lista Serbe ka shfrytëzuar të drejtën e saj ligjore që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, siç thotë ai, Qeveria e Kosovës, partner i së cilës është edhe Lista Serbe, konsideron se veprimi i kësaj të fundit, lidhur me Ligjin për Trepçën, nuk është konstruktiv.

“Ajo (Lista Serbe) konsideron se ka shkelje dhe mundohet ta justifikojë qasjen e saj, në forma të ndryshme, gjithsesi në institucione të Kosovës. Ne si qeveri, mendojmë se është bërë punë e gjatë dhe konstruktive, si dhe e dobishme për të gjithë, për të tashmen dhe të ardhmen e zhvillimit social dhe tjetër. Ne, gjithsesi besojmë që këto ankesa nga përfaqësuesit e komunitetit serb, nuk janë ato që do të duhej të ishin. Nuk janë konstruktive dhe aq më pak të dobishme”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)