Lidhjet familjare dhe ryshfeti ndikojnë në punësimit në sektorin publik
Raporti sjell perceptimet e 1,305 qytetarëve lidhur me çështjet më aktuale në Kosovë. Hapësirë prominente në këtë botim i është dhënë përgjigjeve të kosovarëve lidhur me rëndësinë, përdorimin, njohurinë dhe pritjet për liberalizimin e vizave.
Rezultatet e anketës sugjerojnë se që nga prilli i vitit 2016 ka pas rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së Kosovarëve me performancën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative, dhe gjyqësore të Kosovës, si dhe të institucionit të presidentit.
Përqindja mesatare e Kosovarëve të cilët kanë deklaruar të jenë të kënaqur me institucionet ka rënë në vetëm 21%.
Sa i përket degës së legjislativit të Kosovës, qytetarët kanë vlerësuar performancën e kryetarit të kuvendit dhe vetë kuvendit dhe gjetjet e tetorit të vitit 2016 tregojnë se vlerësimet e kënaqshmërisë për këto institucione nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim rrënjësor në gjashtë muajt e fundit (kanë mbetur në 25% dhe 19%).
Sa i përket institucioneve ekzekutive, kënaqshmëria e kosovarëve me performancën e institucioneve qendrore ka pësuar një ngritje të vogël, ndërsa kënaqshmëria e tyre me performancën e kryeministrit (20%) nuk ka pësuar ndonjë ndryshim rrënjësor mes muajve prill dhe tetor 2016.
Sa i përket institucioneve gjyqësore, kënaqshmëria e qytetarëve me performancën e gjykatave është rritur për 4 pikë përqindjeje mes muajve prill dhe tetor 2016.
Ndërsa niveli i kënaqshmërisë me performancën e prokurorive mbetet - 16% - e njëjtë si në muajin prill 2016. Rezultatet tregojnë se mes muajve prill dhe tetor të viti 2016, niveli i kënaqshmërisë me performancën e presidentit u ul për 20 pikë përqindjeje.
Kur janë pyetur për nivelin e kënaqshmërisë me drejtimin aktual politik të Kosovës, shumica e qytetarëve (69%) mbesin të pakënaqur.
Sidoqoftë, krahasuar me prillin e vitit 2016, anketa më e fundit nxjerr në pah një rënie të pakënaqshmërisë me drejtimin aktual politik të Kosovës për 4 pikë përqindjeje.
Fatkeqësisht, vetëm rreth 9% të Kosovarëve duket të jenë të kënaqur ose shumë të kënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës, dhe pothuajse 22% janë neutral mbi këtë çështje
Ngjashëm, rezultatet e anketës së tetorit 2016 tregojnë se që nga prilli i vitit 2016 mesatarja e Indeksit të Demokratizimit (ID) ka rënë nga 1.13 në 1.04.
Rënie vërehet edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (ECI) , i cili aktualisht vlerësohet në 0.94, në krahasim me 1.05 në prill të vitit 2016.
Më shumë se tre të katërtat e Kosovarëve (76%) mendojnë që problemet më të mëdha me të cilat aktualisht përballet Kosova lidhen me kushtet socio-ekonomike në vend.
Në të vërtetë, të anketuarit kanë përzgjedhur papunësinë (48%), varfërinë (21%) dhe korrupsionin (7%) si tri problemet më të mëdha të cilat ndikojnë në mirëqenien e tyre sociale.
Këto shifra mund të shpjegojnë pjesërisht rezultatin e ulët të Indeksit të Besueshmërisë Ekonomike në këtë anketë.
Gjetjet tregojnë se shumica e kosovarëve mbesin skeptikë lidhur me punësimin meritor në sektorin publik.
Kur kemi parasysh që sektori publik është punëdhënësi më i madh në Kosovë, kjo shifër shpjegon se pse një numër aq i vogël i të anketuarve (11%) janë optimist për arritjen e punësimit në gjashtë muajt e ardhshëm.
Gjithashtu, shumica e Kosovarëve (77%) besojnë që lidhjet familjare, ryshfetet, lidhjet me partitë politike dhe faktorët tjerë jomeritorë janë elementet që ndikojnë në arritjen e punësimit në sektorin publik.
Vetëm rreth 23% - në krahasim me 19% në prill të vitit 2016 - e të anketuarve besojnë që arsimi, përvoja profesionale dhe aftësimi profesional ndihmojnë për punësim në sektorin publik
Kjo anketë gjithashtu ka treguar se 4% e kosovarëve e konsiderojnë ndotjen e mjedisit dhe infrastrukturën rrugore si ndër shqetësimet e tyre më të mëdha.
Përveç kësaj, Anketa e fundit e Pulsit Publik gjithashtu ka hulumtuar opinionet e qytetarëve në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.
Gjetjet zbulojnë që shumica e të anketuarve (rreth 90%) e konsiderojnë liberalizimin e vizave një proces të rëndësishëm, në mënyrë që të shfrytëzojnë regjimin pa viza për vizita familjare (44%), arsye turistike (20%), dhe për punësim (20%).