Liderët të veprojnë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit
Prishtinë, 14 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pas takimeve me liderët e partive politike parlamentare ka lëshuar një deklaratë për mediu ku ka kërkuar nga liderët partiakë të tregojnë pjekuri politike dhe duke lënë anash mospajtimet ndërmjet tyre dhe interesat e ngushta, të veprojnë shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Kam takuar sot gjatë ditës, dy nga liderët e partive politike parlamentare, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të trajtuar çështjen e ndërtimit të institucioneve të vendit", ka theksuar ajo
Liderët e partive politike parlamentare sipas saj duhet të veprojnë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit.
"Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar kuadrin tonë kushtetues."
"Jam e përkushtuar që, duke garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, të zbatoj në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese", ka pohuar Jahjaga.
Institucionet e reja siç ka thënë ajo duhet të ndërtohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
"Duhet të garantojmë se me institucionet e reja do të përmbushim çdo detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe gjithashtu obligimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, partneriteti me të cilën është jetik për vendin."
"Dialogu politik është i rëndësishëm për forcimin e demokracisë së brendshme dhe ai duhet të zhvillohet, pavarësisht mospajtimeve, në interes të qytetarëve dhe të avancimit të proceseve të përgjithshme në vend", thekson Jahjaga.