Liberalizimi i vizave, shtohen kërkesat për Kosovën
Prishtinë, 29 tetor - Diskutimet e Bashkimit Europian për pezullimin e përkohshëm të vizave bdaj shteteve të Ballkanit sidomos të Serbisë dhe Maqedonisë, ka bërë që ndaj Kosovës si shtet i vetëm në regjion me regjim vizash, të shtohen kriteret për Shengenin e bardhë.
Sipas ministres së Integrimit Evropian Vlora Çitaku, kushti më kryesor vazhdon të mbetet zvogëlimi i numrit të azilkërkuesve kosovarë për në vendet e BE-së.
Këto diskutime që janë bërë duhet të shërbejnë si mobilizim për Kosovën. Mësimet e marra nga vendet e rajonit ka bërë që ne të kemi kritere shtesë siç është kriter shprehimisht i përmendur, zvogëlimi i numrit të azilkërkuesve, thotë ministrja Çitaku.
Por, tërheqja e vërejtjes për vendet e regjionit, Kosovën, sipas ministres Çitaku, duhet ta bëj më të përgjegjshme karshi punës që duhet bërë për të arritur synimin.
Zvogëlimi i azilkërkuesve është shprehimisht kusht për Kosovën, dhe këtë kusht nuk e kanë pasur vendet e rajonit. Natyrisht që gabimet e rajonit kanë reflektuar në shtimin e kritereve, por megjithatë ne kemi të dhëna inkurajuese p.sh në Suedi është zvogëluar 50 për qind numri i azilkërkuesve nga Kosova, që na bëjnë të jemi në rrugë të drejtë karshi këtij procesi, ka thënë Çitaku.