Liberalizimi i vizave ndihmon avancimin e Kosovës
Prishtinë, 21 tetor Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi theksoi se marrja e udhërrëfyesit dhe strategjisë për liberalizimin e vizave nga BE-ja do të ndihmonte shumë në avancimin e procesit për sigurimin e dokumenteve të udhëtimit, për riatdhesimin, si dhe do të ndikonte në përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen efektive të kritereve të domosdoshme të integrimit gjatë takimit të zhvilloi me eurodeputeten Tanja Fajon.
Kuçi falënderoi eurodeputeten Tanja Fajon për vizitën që po i bën institucioneve të Republikës së Kosovës dhe e njoftoi atë për reformat që janë bërë deri më tani nga institucionet e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti në kuadër të angazhimeve për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Nga ana e saj, eurodeputetja Fajon shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur institucionet kosovare drejt këtij procesi shumë të rëndësishëm, duke theksuar se autoritet kosovare duhet të vazhdojnë angazhimin e tyre me reformat e nevojshme për të plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave me BE-në.
Pasi që në nëntor të këtij viti, Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës do tu hiqet regjimi i vizave, kjo jep sinjale të qarta se procesi i heqjes së vizave edhe për qytetarët e Kosovës do të përshpejtohet, theksoi eurodeputetja Fajon.