29 Prill 2024

Lëvizja Vetëvendosje proteston në Kuvend

Prishtinë, 12 prill – Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi është detyruar të kërkojë ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit që të largojë nga salla e Kuvendit, deputetët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri, të cilët në shenjë proteste kanë shpalosur një baner me emrat e policit të vrarë në veri, Enver Zymberi dhe qytetarit të vrarë te tre rrokaqiejt në Mitrovicë, Selver Haradinaj. 


Paraprakisht kryeparlamentari Krasniqi ka ftuar deputetët e Vetëvendosjes të zënë vendet pas protestës së tyre, por ata nuk kanë bërë një gjë të tillë dhe kjo ka bërë që Krasniqi të kërkojë një pauzë.

Edhe pas pauzës prej rreth 15 minutash, deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë larguar banerin, megjithatë legjislativi ka vazhduar seancën e rregullt.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka kërkuar që nga rendi i ditës të heqet Projektligji për Bankat dhe organizatat mikrofinanciare.

Ndërsa shefi i deputetëve të AAK-së, Ardian Gjini tha se Kosova nuk ka nevojë për pamje të tilla si shndërrimi i Kuvendit në teatër, duke iu referuar Vetëvendosjes dhe as largimit të tyre nga salla.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se ai nuk ka kërkuar heqjen e këtij projektligji, por shtyrjen e tij për seancën e sotme duke kërkuar nga deputetët që ta votojnë këtë projektligj. Ndërsa sa i përket seancës së jashtëzakoshme, Grabovci tha se PDK nuk pranon imponime por respektim të procedurave të Kuvendit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu tha se është e domosdoshme që Kuvendi të mbajë një seancë të jashtëzakonshme pas ngjarjeve në veri, duke theksuar se nëse nuk mbahet seanca e jashtëzakonshme kjo do të thotë se po legjislativi është indiferent ndaj akteve terroriste në veri. Aliu ka kërkuar nga deputetët që ta mbështesin kërkesën e tyre për seancë të jashtëzakonshme.

LDK është shprehur pro seancës së jashtëzakonshme për veriun, por ajo të mbahet pa prezencën e kryeministrit Thaçi, si përgjegjës kryesor, andaj ka kërkuar që për këtë partitë opozitare të merren vesh që një seancë e tillë të mbahet në një të ardhme të afërt.

Edhe AKR ka mbështetur mbajtjen e një sence të jashtëzakonshme por me prezencën e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar.

Ndryshe, Partia Liberale Serbe ka thënë se nuk mbështet veprimet që cenojnë ligjet e Kosovës, duke iu referuar veprimeve të Vetëvendosjes.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)