Lëvizja nuk ka ndryshuar
Prishtinë, 13 shtator - Visar Ymeri ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! nuk ka ndryshuar, është po ajo që ka qenë. Ai ka thënë se kjo lëvizje i ka në përdorim të gjitha mjetet demokratike, duke u nisur nga aktiviteti në Kuvend, por edhe në demonstrata e aksione.
Ymeri në këtë intervistë për Epokën e re ka folur edhe për dorëheqjet e fundit të disa anëtarëve të saj që kanë ndodhur si hidhërim për arritjen e marrëveshjes me LDK-në, AAK-në dhe Nismën. Ai ka thënë se në rrugëtimin që kanë përpara do të kenë mundësi të riflasin me të gjithë ata që sot janë tërhequr nga shqetësimi, se ecja përpara e Vetëvendosje!-s në këtë marrëveshje është gabim.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike, ka thënë se Lista Serbe nuk ka problem me Vetëvendosje!-n, por Serbia ka problem me Vetëvendosje!-n.
Ymeri ka bërë me dije se marrëveshja e arritur me LAN-in më 10 shtator nuk do të ndryshohet. E, po ashtu, ai ka thënë se nuk do të mund të ketë nisma efikase dhe po aq emancipuese nëse për serbët e Kosovës flitet në Bruksel nga Beogradi. Ne duam dhe do ta bëjmë dialogun këtu në Kosovë me qytetarët tanë për integrimin e tyre në dimensionin shoqëror e ekonomik, duke mos u kufizuar jo vetëm tek punësimi si deputet, ministra apo zëvendësministra të disa prej përfaqësuesve të minoritetit, ka thënë Ymeri.
Ai ka bërë me dije se Lista Serbe është e krijuar nga Beogradi zyrtar dhe si e tillë diktohet po nga Beogradi.