27 Prill 2024

Lëvizja Fol: Për tre muaj, 28 shkelje të evidentuara

Prishtinë, 11 nëntor -  Lëvizja FOL, ka organizuar konferencë për shtyp me rastin e publikimit të raportit “Monitoruesi i Prokurimit”, për periudhën korrik-shtator 2011.

Ky publikim është bërë në kuadër të shumë aktiviteteve që Lëvizja FOL ka zhvilluar në fushën e prokurimit publik që nga marsi i këtij viti.

Të gjeturat e këtij raporti bazohen në monitorimin që Lëvizja FOL ka bërë në institucionet e sistemit të prokurimit në Kosovë, përkatësisht të dhënat nxjerra nga monitorimi direkt që FOL ka bërë në autoritetet kontraktuese, hulumtime, vendimet të OSHP-së dhe mediat.

Menaxheri i programeve në Lëvizjen FOL, Fidan Kalaja, gjatë kësaj konference deklaroi se “përgjatë kësaj periudhe raportuese kanë ndodhur disa zhvillime në fushën e prokurimit.

Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar ligjin e ri të prokurimit publik, i cili është aprovuar nga Kuvendi dhe ka hyrë në fuqi me dekretimin nga Presidenca e Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, është zhgënjyese se “ky ligj nuk përmban ndonjë ndryshim pozitiv sa i përket ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies së procedurave të prokurimit”.

Ai potencoi se “të gjeturat e para të analizës që Lëvizja FOL është dukë bërë për këtë ligj, tregojnë se ligji i ri për prokurim publik nuk ka reduktuar burokracinë, duke mos iu përgjigjur nenit 120 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke mos siguruar transparencë, llogaridhënie dhe efektivitet në shpenzimin e parasë publike”.

Gjatë kësaj periudhe Ministria e Brendshme është bastisur dhe ka pasur arrestime lidhur me hetimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurimin e kësaj ministrie. Mirëpo Fidan Kalaja tha se “hetimet për keqpërdorime në prokurimin publik duhet të intensifikohen dhe të prodhojnë rezultate konkrete duke pasur parasysh nivelin e lartë të korrupsioni në këtë sektor”.

Në këtë kontekst, “është alarmante gjendja e prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ku shqetësimet e ngritura nga Lëvizja FOL për keqpërdorimet në këtë ministri janë injoruar nga institucionet duke lejuar vazhdimin e avazit të keqpërdorimeve dhe korrupsionit me tenderët e kësaj ministrie” përfundoi ai.

Koordinatori i projektit, Armend Pajaziti, prezantoi të gjeturat e këtij raporti. Ai tha se gjatë kësaj periudhe raportues korrik-shtator “Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje ligjore në 12 tenderë të ndryshëm”.

Gjithashtu, Organi Shqyrtues i Prokurimit–OSHP ka gjobitur Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa ka kërcënuar me gjobë Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të mos respektimit të vendimeve të OSHP-së nga ana e tyre.

Sipas tij, “trendi i keqpërdorimeve dhe shkeljeve ligjore ka vazhduar edhe në ndërmarrjet publike PTK dhe KEK, gjë që tregon se këto ndërmarrje nuk kanë treguar vullnet që të parandalojnë keqpërdorimet dhe shkeljet që janë duke ndodhur në prokurimin e këtyre ndërmarrjeve”.

“Është për t’u shqetësuar fakti që gjatë kësaj periudhe komunat kanë bërë shkelje ligjore në 14 tenderë të ndryshëm, gjë që përbën numër më të madh të shkeljeve në krahasim me shkeljet  që komunat kanë bërë në periudhën paraprake,” shtoi Armend Pajaziti.

Gjatë kësaj konference, Lëvizja FOL  ofroi rekomandime të cilat do të rrisnin nivelin e transparencës së këtyre procedurave dhe do të parandalonin keqpërdorimet dhe korrupsionin që është duke ndodhur në prokurimin publik në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)