Letonia e mirëpretë aplikimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës
Prishtinë, 22 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits.
Kryetari Konjufca tha se ndjehet i nderuar që pret në takim presidentin e një shteti mik si Republika e Letonisë, që ishte ndër vendet e para anëtare të Bashkimit Evropian e cila njohu Kosovën si një Republikë të pavarur dhe sovrane, pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia më 17 shkurt 2008.
Ai e falënderoi presidentin Levits për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Letonisë ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, duke shprehur njëherësh mirënjohje edhe për kontributin e trupave letoneze që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
Tutje, duke folur për situatën aktuale politike dhe sfidat e sigurisë, si pasojë e agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë, kryetari Konjufca theksoi se Rusia dhe aleati i saj, Serbia, përbëjnë kërcënim serioz për paqen e stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Prandaj është nevojë urgjente integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor, theksoi ai, duke kërkuar nga presidenti Levits mbështetjen e Letonisë ndaj Kosovës në këtë rrugëtim.
Nga ana e tij, presidenti Levits theksoi se e mirëpresin aplikimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe konfirmoi qëndrimin përkrahës të Republikës së Letonisë për liberalizimin e vizave, si dhe ndaj aspiratave të shtetit tonë për anëtarësim në NATO, BE dhe në organizata e forume të tjera ndërkombëtare.
Kryetari Konjufca dhe presidenti Levits shprehën vullnetin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të shumta me interes të përbashkët dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Letonisë. ​