Letër e hapur Kryeministrit Thaçi nga Kryesia e OVL të UÇK-së
Pejë, 24 mars - Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dega në Pejë i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ku kanë shprehur shqetësimin e tyre se pse Agim Qelaj, nuk gjendet në listën zyrtare të Dëshmorëve të UÇK-së.
Letra:
Kryeministër. Duke pasur parasysh rolin tuaj në luftën çlirimtare dhe në arritjen e aspiratave të popullit, dëshirojmë që të qajmë një hall me juve, me shpresë që do të gjejmë mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj.
Fillimisht, duke pasur parasysh se letra është e hapur edhe për opinionin, ne do të sqarojmë në pak rreshta për Dëshmorin e Kombit Gjeneral Major Agim Qelaj nga Peja.
Agim Binak Qelaj u lind me 6 dhjetor 1961 në Pejë, ku kryen edhe shkollën fillore Ramiz Sadiku dhe të mesmen teknike Shaban Spahija.
Më pas Agimi në Beograd dhe Zarë, vijon mësimet në Akademinë Ushtarake, ku më 1984, diplomon në degën e Artilerisë Raketore.
Shërbeu në detyra të ndryshme të oficerit në Kroaci, ku pas fillimit të luftës, në marrëveshje me mbrojtësit kroat, në Janar 1992, tërheq të gjithë ushtarët shqiptar nga kazerma në ujdhesën e Visit.
Pasi nuk kishte siguri të kthehej më në Kosovë, Agimi jeton një kohë në Maqedoni ku merr pjesë në demonstratën e Gostivarit, e më pas kalon në Tiranë, për tu vendosur në Singen të Gjermanisë për një kohë më të gjatë.
Ka shumë aspekte të ceken rreth aktivitetit të tij në Singen, por më e rëndësishmja ishte se u zgjodh kryetar i klubit Kosova. Në këtë cilësi, në nëntor 1997, ai kontakton me kryesinë e LPK-së, përkatësisht, përfaqësuesit e SHP të UÇK-së, me të cilët merret vesh për angazhimin e tij në luftën çlirimtare.
Pas fillimit të luftës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në prill 1998 arrin në Shqipëri ku bën trajnim të ushtarëve, për të arritur më pas me 27 maj 1998 në Likoc. Aty SHP i UÇK-së, e ngarkon me themelimin dhe përgatitjen e një njësie elite të UÇK-së.
Përveç detyrave të tij primare, Agimi angazhohet edhe në Betejën e Llapushnikut dhe ishte përgjegjës edhe në shumë pika të frontit në ZO të Drenicës dhe ZO të Pashtrikut, ku vlen të ceken Açareva, Jashanica, Kleçka e të tjera, ku gjithnjë ishte pranë luftëtarëve duke u përkujdesur në ngritjen profesionale dhe morale të tyre.
Me 17 korrik 1998, pas hyrjes së disa njësive të UÇK-së në Rahovec, SHP i UÇK-së e angazhon Agimin, që të inspektojë situatën e krijuar, e më pas caktohet edhe bartës i këtij operacioni. Agimi, nuk komandoi nga largësia, por hyri në flakën e zjarrit së bashku me ushtarët trima të shumë njësiteve të UÇK-së, ku arrijnë të thyejnë 3 sulme të ashpra të armikut, i cili po sulmonte me qindra mjete të motorizuara. Të dielën me 19 korrik 1998, ora 12:30, bie heroikisht gjatë sulmit të katërt të ushtrisë jugosllave, së bashku me 4 ushtarë të tjerë të Brigadës 121 Kumanova. Në vendin e rënies është edhe pllaka me emrat e Agimit dhe 4 dëshmorëve të tjerë.
Trupi i Agimit, varroset nga një familje e Rahovecit, të cilët nuk e njohën Agimin. U desh mbi 9 vite, pas shumë peripecive edhe të familjarëve e edhe bashkëluftëtarëve, që të bëhet identifikimi i trupit të tij. Agimi varroset me nderime të larta në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë me 18 dhjetor 2007. Vlen të ceket që në këtë varrim morën pjesë edhe zyrtarë të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve e Veteranëve të Luftës.
Agimi, është graduar për meritat e tij në luftën çlirimtare, nga SHP i UÇK-së me gradën Gjeneral Major.
I nderuar z. Kryeministër
Ne ishim të nderuar, kur nën patronatin tuaj organizuat akademinë shtetërore për Agimin, me 19 korrik 2009 në Prishtinë. Aty patëm rastin edhe të shohim dokumentarin e RTK-së: Oficer karriere dhe luftëtar i lirisë kushtuar Dëshmorit të Kombit Gjeneral Major Agim Qelaj.
Ne dëshirojmë të ju njoftojmë ju dhe mbarë opinionin, që Agim Qelaj, me gjithë nderimet shtetërore, nuk gjendet në listën zyrtare të Dëshmorëve të UÇK-së. Departamenti që merret me këto çështje, në kuadër të MPMS, nuk e ka parë të arsyeshme që të vendos edhe emrin e Agimit në listë.
Në shtator 2009, në zyren tonë në Pejë, erdhi kërkesa e familjes që ne të lëshonim një vërtetim me të cilin OVL të UÇK-së dëshmon se Agim Qelaj është epror i UÇK-së dhe ka rënë heroikisht në Betejën e Rahovecit. Ne normalisht kryem detyrën tonë dhe dokumentin e njëjtë, e vërtetoi edhe Selia Qendrore e OVL të UÇK-së në Prishtinë, zyrtarë të së cilës kishin biseduar për këtë çështje edhe me Azem Sylën, Xhavit Halitin dhe Adem Grabovcin.
Ky dokumentacion komplet, i është dërguar Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve, por i njëjti u refuzua me arsyetimin cinik se lënda nuk është e kompletuar dhe se nevojitet edhe një vërtetim i SHP të TMK-së. Duke pasur parasysh faktin se ky organ nuk ekziston më, ligji decidivisht e jep mundësinë, që Departamenti të shërbehet edhe me dokumentacionin e lëshuar nga shoqatat e dala nga lufta. Por ky Departament, siç dihet, nuk e respekton ligjin në fuqi dhe injoron çdo dokument të shoqatave të luftës.
I nderuar z.Kryeministër. Kërkojmë nga Ju, si dhe nga anëtarët e tjerë të SHP të UÇK-së, që të ndërmerrni masa për të ndërprerë këtë turp e abuzim që po bëhet nga Departamenti.
Është tepër e pakuptimtë që Agimi nuk gjendet në listën e dëshmorëve. Ne pyesim se si është mundur që 2 vite pas pavarësisë, Departamenti nuk ka dijeni për Gjeneral Major Agim Qelaj, që me gjakun e tij dhe dëshmorëve të tjerë u arrit pavarësia që e kemi sot. A nuk punojnë në këtë Departament, familjarë të dëshmorëve dhe si do të ndiheshin sikur të mos njihej statusi i familjarëve të tyre? Apo e harruan këta njerëz gjakun e dëshmorëve?
Deri kur do të zgjasin padrejtësitë e këtij Departamenti, derisa në listat e dëshmorëve ka edhe civilë të vrarë në luftë, ka edhe invalid civil që trajtohen si invalidë të UÇK-së, duke u anashkaluar vlerat e mirëfillta. Jemi të bindur dhe kemi fakte, se edhe pa vërtetimin e SHP të TMK-së janë shpallur dëshmorë e invalidë, dhe konsiderojmë se anashkalimi i lëndës së Agim Qelajt është tendencioz dhe qëllimkeq.
z.Kryeministër
Ne shpresojmë që ky Departament të zëvendësohet me një organ më serioz qeveritar, i cili do të kryente punën me më shumë kompetencë dhe që do të kishte më shumë respekt për vlerat e UÇK-së.
Në fund, për Departamentin si dhe për opinionin e gjerë do të paraqesim disa fjalë që thuhen për Agimin:
* Kryeministri i Kosovës, Z Hashim Thaçi thotë: Beteja e Rahovecit e ka emblemë heroin e Republikës së Kosovës, Dëshmorin Agim Qelaj.
* Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë: Angazhimi i njërit prej eprorëve më të aftë të UÇK-së, na bëri të besojmë se do të përballonim më mirë luftën.
* Ministri Fatmir Limaj: humbja e çdo shoku është e rëndë por humbja e Agim Qelës, ka qenë një humbje shumë e rëndë për UÇK-në, sepse Kosovës dhe UÇK-së i duhej një ushtarak siç ishte Agim Qelaj.
* Zv.Ministri Adem Grabovci: Kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja në debate ku debatonte Agim Qelaj. Ishte më i zjarrtë, më konkret, më i zëshëm, edhe kur në debate ishin dhe ushtarakë tjerë.
Të gjithë ata që e njohën Agimin, kanë mbresa të pashlyeshme dhe të paharrueshme, përveç zyrtarëve të Departamentit që nuk e njohën as atëherë e as tani.
I nderuar z. Kryeministër. OVL të UÇK-së është gjithmonë në mbrojtje të vlerave te luftës. Ne shpresojmë që të kemi edhe mbështetjen tuaj dhe reagim shumë të shpejtë në këtë çështje, sepse ne si Organizatë nuk do të lejojmë që as Departamenti e as kushdo qoftë të shkel vlerat e shenjta të UÇK-së.
Kryesia e OVL të UÇK-së, Dega në Pejë
Pejë 24 mars 2010