28 Prill 2024

Lequiller rikonfirmoi mbështetjen franceze për Kosovën

Prishtinë, 2 nëntor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni të Kuvendit, në përbërje të të cilit janë edhe Sabri Hamiti e Petar Miletiq, nënkryetarë, Albin Kurti, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Flora Brovina, anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, është pritur sot në takime të ndara në Komisionin për Çështje Evropiane të Asamblesë Nacionale, të kryesuar nga Pierre Lequiller, kryetar i Komisionit dhe në Grupin e Miqësisë Francë – Kosovë, të udhëhequr nga Christian Menard.

Duke i falënderuar mikpritësit për pritjen e ngrohtë, kryetari Krasniqi i shprehu mirënjohje Francës për të gjithë mbështetjen që ajo e ka dhënë për Kosovën në të gjitha proceset e deritanishme.

Kreu i Kuvendit i njoftoi ata për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave dhe përparimin që Kosova ka bërë në këtë rrugë, si: marrëveshjet me një sërë shtetesh, riatdhesimi, pasaportat biometrike, për nxjerrjen e legjislacionit në përputhje me të drejtën evropiane etj.

Kryetari Krasniqi kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Francës dhe të të gjitha institucioneve të saj, në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Pierre Lequiller, duke rikonfirmuar mbështetjen franceze për Kosovën, ndër të tjera, foli për adoptimin e legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane, gjë që, sipas tij, është një punë e gjatë dhe e vështirë, dhe i uroi Kosovës që të arrijë përparim në këtë rrugë.

Sikurse në Komisionin për Çështje Evropiane, ashtu edhe në Grupin e Miqësisë, kishte përkrahje të plotë për integritetin territorial të Kosovës dhe zgjidhjen e problemeve në veri të vendit.

Zyrtarët e lartë francezë shfaqën qëndrimin e tyre për vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e sa më shumë zgjidhjeve për probleme teknike.

Lequiller theksoi se duhet të ketë më tepër një dialog me popullsinë në veri dhe një bashkëveprim me KFOR-in dhe EULEX-in, sepse, sipas tij, “nga çdo situatë duhet të na nxjerrë dialogu”.

Ai, gjithashtu, shfaqi besimin që deri në fund të këtij viti do të hapet dialogu për liberalizimin e vizave dhe konfirmoi mbështetjen në këtë proces.

Temë bisedimi në këto takime ishte edhe integrimi i pakicave kombëtare dhe përparimi që ka bërë Kosova në këtë drejtim dhe në zbatim të Pakos së Ahtisarit.

Përkitazi me këtë, kryetari Krasniqi tha se Kosova ka vendosur standarde të reja në respektim dhe njohje të të drejtave të komuniteteve pakicë.

Takimet u vlerësuan si mundësi të mira për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe ndërmjet dy vendeve. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)